Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) i gjatë 878 kilometra filloi operacionet tregtare për të transportuar 10 miliardë metra kub (bcm) gaz nga Azerbajxhani në Europë për çdo vit, deklaroi kompania.
TAP transporton gaz natyror nga fusha Shah Deniz në pjesën azerbajxhanase të Detit Kaspik për në pjesën perëndimore të Europës. Gazsjellësi përfaqëson pjesën evropiane të Korridorit Jugor të Gazit dhe lidhet me gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, për të arritur në bregdetin e Italisë jugore.
Operacionet tregtare kanë filluar tani, katër vjet e gjysmë pas përurimit të punimeve të ndërtimit në Selanik të Greqisë.
Projekti, i cili do të luajë një rol të rëndësishëm në sigurinë e energjisë dhe diversifikimin energjetik të Europës, siguroi financim prej 3,9 miliardë dollarësh nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Aksionarët përfshijnë BP, SOCAR dhe Snam me nga 20 për qind të aksioneve, së bashku me Fluxys (19 për qind), Enagas (16) dhe Axpo (5). Të gjitha kompanitë ranë dakord për një rezolutë mbi zhvillimin dhe ndërtimin e projektit në fund të vitit 2013.
"Sot, një vizion afatgjatë është bërë realitet. Si një operator i ri i sistemit të transmetimit, i zhvilluar dhe i ndërtuar në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të industrisë, TAP mundëson diversifikim të dyfishtë duke përfshirë një rrugë të re, të besueshme dhe të qëndrueshme të energjisë dhe burmimeve të gazit që arrijnë miliona përdorues europianë, për dekada që do të vijnë", citohet të ketë thënë Luca Schieppati, drejtori menaxhues i TAP-it.
Murad Heydarov, kryetar i bordit të drejtorëve të TAP-it, tha: “Korridori Jugor i Gazit është bartësi pionier i gazit natyror nga Azerbajxhani në Evropë dhe një nga sistemet më moderne dhe të besueshme aktualisht në dispozicion për transportimin e energjisë. Si një komponent kryesor i Korridorit Jugor të Gazit prej 3.500 kilometrash, TAP kombinon tiparet strategjike dhe konkurruese të tregut".
Ai shtoi se tubacioni siguron që Europa mund të marrë furnizime nga një burim tjetër ndërsa mbështet objektivat kryesore të BE-së për arritjen e një tregu të integruar të energjisë dhe një përzierje të qëndrueshme, të sigurt dhe të larmishme të energjisë, duke kontribuar në rrjedhat e vazhdueshme drejt një tranzicioni të energjisë së pastër.
Përafërsisht 55,000 copë tub me peshë totale prej 520,000 ton u përdorën në projektin që u deshën mbi 50 milionë orë pune për t'u përfunduar.
"Sistemi TAP operon në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht të cilësisë, shëndetit, sigurisë dhe mjedisit dhe është projektuar me potencialin për të dyfishuar kapacitetin e tij përçues në 20 miliardë metra kub në vit", thuhet në deklaratë./Motilokal.com
