Një uragan i fuqishëm ka sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta në brigjet e Karaibeve të Nikaraguas dy javë pas një goditjeje tjetër shkatërruese.
Iota bëri zbritjen si një stuhi e kategorisë së katërt pranë qytetit të Puerto Cabezas, ku pacientët duhej të evakuoheshin nga një spital i improvizuar pasi çatia e tij ishte shkëputur.
Banorët janë në strehimore dhe ka frikë nga mungesa e ushqimit. Stuhia është dobësuar dhe Hondurasi pritet të goditet të martën.
Qendra për Uraganet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (NHC) saktësoi se stuhia kaloi nëpër breg pasditen e së hënës. Ai mori fuqi në det duke u ngritur në kategorinë e pestë të stuhive para se të prekte tokën, me erë që arrinte shpejtësinë e 260 kilometrave në orë.
Në Puerto Cabezas, i njohur gjithashtu si Bilwi, stuhia dëmtoi shtëpitë prej druri, përmbyti rrugë dhe ndërpreu energjinë elektrike. Banorët thanë se era i rrëzoi çatitë e shtëpive "sikur të ishin prej kartoni".
"Nuk kam ngrënë. Unë nuk e di se ku do të fle këtu", tha 80-vjeçarja Prinsila Glaso për agjencinë e lajmeve AFP.
Agjencia paralajmëroi për erëra katastrofike, stuhi vdekjeprurëse, dhe reshje të dendura, në përditësimet e fundit.
Presidenti i Honduras fqinje, Huan Orlando Hernandez paralajmëroi se po i afroheshin një bombe.
Iota është uragani më i fortë i Atlantikut këtë vit, dhe vetëm i dyti në muajin nëntor që ka mbërritur kategorinë pesë – i fundit i tillë është regjistruar në vitin 1932.
Honduras, Guatemala dhe Nikaragua kanë evakuuar banorët që jetojnë në zonat më të rrezikuara dhe pranë lumenjve në rajonin bregdetar në Atlantik, ku pritet që të godasë Iota.
Në Honduras, zyrtarët thanë të paktën 50,000 njerëz ishin larguar nga zonat me rrezik të lartë. Duke folur në një konferencë shtypi të hënën, Presidenti Juan Orlando Hernández paralajmëroi: "Ajo që po afron është një bombë".
Para se të arrinte në Amerikën Qendrore, stuhia kaloi ishullin kolumbian Providencia në Karaibe, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe duke vrarë të paktën një person, thanë zyrtarët.
Sezoni i sivjetshëm i uraganeve të Atlantikut ka thyer rekordin e numrit të stuhive që kanë një emër. Për herën e dytë, sipas të dhënave të regjistruara, zyrtarët janë të detyruar të përdorin gërmat e alfabetit grek për të emëruar stuhitë.
Eta shkaktoi të paktën 200 viktima. Zona më e goditur në qendër të Guatemalës, është rajoni i Alta Verapaz, ku rrëshqitjet e dheut varrosën dhjetëra shtëpi në fshatin e Quejá, dhe duke shkaktuar të paktën 100 viktima dhe disa të zhdukur./Motilokal.com
