Pulmologu Besim Morina: Mbrojtja më e mirë nga viruset mbajtja e maskës dhe higjiena

Pulmologu Besim Morina: Mbrojtja më e mirë nga viruset mbajtja e maskës dhe higjiena

Tashmë kemi hyrë në sezonën e gripit sezonal dhe njëkohësisht e gjithë bota është duke u ballafaquar me pandeminë COVID-19. Shumë persona mund të preken nga gripi, dhe jo gjithmonë shenjat e kësaj sëmundje janë të njëjta, pasi që çdo vit simptomat e gripit ndryshojnë.

Në këtë rast të gjithë njerëzit, qofshin ata fëmijë apo të rritur, sapo ndjejnë shqetësimet e para, apo preken nga ndonjë sëmundje i drejtohen mjekut. Dhe ky është vërtet një veprim i duhur për të mos u rrezikuar nga sëmundjet e ndryshme që i kanosen organizmit të njeriut.

Megjithatë, sipas profesionistëve shëndetësorë, me paraqitjen e rasteve të gripit, situata bëhet edhe më e vështirë në dallimin me rastet e COVID-19. 

Për të mësuar më shumë rreth gripit sezonal dhe gjendjes në të cilën jemi me pandeminë COVID-19, portali motilokal.com, bisedoi me dr. Besim Morina, pulmolog në Klinikën e Pulmologjisë në Prishtinë.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Dr. Morina, jemi në sezonin e vjeshtës dhe pak në atë të dimrit, temperaturat tashmë veç kanë filluar të shënojnë rënie e njëkohësisht me viruset sezonale po ballafaqohemi me pandeminë COVID-19. Cila është mbrojtja më e mirë nga viruset?

Mbrojtja nga viruset, të cilët shkaktojnë infeksione të sistemit të frymëmarrjes bëhet përmes ndërmarrjes së disa veprimeve që e zvogëlojnë mundësinë që viruset të hyjnë në organizmin tonë përmes gojës, hundës apo syve. Kështu, mbrojtja më e mirë është vendosja e maskës, larja e shpeshtë duarve dhe evitimi i kontaktit me personat që kanë simptoma të një infeksioni. Po ashtu, nga disa viruse si ai i influencës apo gripit, mund të mbrohemi edhe përmes vaksinimit. Prandaj, çdo vit prodhohen vaksina për gripin sezonal, të cilat u jepen zakonisht grupeve të rrezikuara të popullatës.

Këto ditë ka një rritje të numrit të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë dhe Shqipëri. A është më i rrezikshëm tani ky virus pasi që po hyjmë në ditët e ftohta dhe në periudhën e gripit?

E vërtetë që pandemia COVID-19 ka hyrë në një fazë të re, kemi një shpërthim të ri, rritje të rasteve me infeksion dhe ekziston mundësia që kësaj t’i ketë kontribuar edhe ulja e temperaturave. Ardhja e muajve të ftohtë ka bërë që njerëzit të qëndrojnë më shumë brenda dhe në hapësira të vogla ku mundësia e infeksionit është më e madhe. Po ashtu, kjo kohë koincidon edhe me paraqitjen e rasteve të gripit çka e bën edhe më të vështirë dallimin me rastet e COVID-19.

Maska është bërë kryetemë dhe mbajtja e saj është obliguar si në ambiente të jashtme ashtu dhe të brendshme. Sa është ajo efektive, nëse po atëherë a duhet mbajtur edhe në sezonën e gripeve?

Mbajtja e maskës përveç që është treguar efektive për mbrojtjen nga infeksioni me koronavirusin e ri, është po aq e efektshme edhe në mbrojtjen kundër gripit. Në shumë vende të botës, sidomos atyre të Lindjes së Largët maska është përdorur shumë edhe para shfaqjes se COVID-19, mirëpo në vendin tonë dhe në botën perëndimore ajo nuk ka qenë e zakonshme. Pandemia e fundit ka bërë që të ndryshohen edhe botëkuptimet e mëhershme kulturore për mbajtjen e maskës dhe një gjë e tillë ka mundësi të bëhet me e pranueshme.

Vjeshta dhe dimri janë stinë ku moti është i paqëndrueshëm. Cilat janë infeksionet më të shpeshta në këto dy stinë?

Normalisht, infeksionet e traktit respirator janë më të shpeshtat gjatë kësaj pjese të vitit. Këto infeksione shkaktohen nga viruse dhe bakterie të ndryshme. Ato mund të shkaktojnë edhe sëmundje serioze si pneumonia apo pezmatimi i mushkërive. Prej infeksioneve virale më të shpeshtat janë nga ftohja e zakonshme dhe gripi sezonal.

Dr. Morina, a duhet të vaksinohen të gjitha moshat për t’u mbrojtur nga gripi apo vetëm moshat e treta dhe sa efektive është vaksina ndaj viruseve?

Zakonisht vaksinimi kundër gripit të zakonshëm rekomandohet vetëm për grupe të caktuara të popullatës si personat në moshë, ata me sëmundje kronike apo me imunitet të kompromituar, personat me rrezikshmëri të lartë të infektimit, etj. Çdo vit prodhohet vaksinë e re kundër gripit, kjo pasi që virusi i gripit ndryshon çdo herë dhe si i tillë imuniteti i fituar nga infeksioni i mëhershëm nuk na mbron nga infeksioni i ri. Për ketë arsye edhe epidemitë e gripit dallojnë për nga ashpërsia, disa lloje shkaktojnë sëmundje më të rënda se tjerat.

Gjatë kësaj pandemie mësuam së të infektuarit duhet të qëndrojnë të izoluar deri në momentin e shërimit, por a duhet të rrimë mbyllur në shtëpi dhe sa nëse prekemi nga gripi sezonal?

Masa e izolimit të pacientët me gripin sezonal mendoj nuk është e aplikueshme dhe është e tepruar. Krahasuar me COVID-19 gripi është me pak infektiv dhe shkakton sëmundje më të lehtë dhe vdekje më të pakta, gjë që e bën atë më të parrezikshëm.

Për të qenë të shëndetshëm që mos të na kap gripi cilat ushqime këshillohen më shumë në stinën e ftohtë?

Ushqimet e freskëta, si frutat dhe perimet, që janë të pasura me vitamina të ndryshme dhe minerale, janë të nevojshme për një imunitet të mirë dhe të fortë, i cili është faktori kyç në luftën ndaj infeksionit viral. Konsumimi i ushqimeve të shëndetshme rekomandohet gjerësisht si faktor i rëndësishëm në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve infektive virale.

Si ndikon në shëndetin e fëmijëve po edhe te të rriturit aktiviteti fizik në natyrë, sidomos për rritjen e imunitetit?

Sikurse ushqimet e shëndetshme edhe ushtrimet dhe aktiviteti fizik luajnë rol thelbësor në pasjen e një imuniteti kompetent. Janë bërë studime të shumta që i ndërlidhin ushtrimet dhe aktivitetin fizik të rregullt me imunitetin ndaj infeksioneve të ndryshme. Kjo vlen edhe përpjesën e popullsisë fragjile si moshat e shtyra apo të sëmurit kronikë.

Me ardhjen e dimrit edhe ndotja e ajrit është më e theksuar. Si ndikon ndotja në shëndetin e njeriut?

Ndotja e ajrit është një ndër problemet më të mëdha në Kosovë, veçanërisht në kryeqytet. Ajo gjatë muajve të dimrit, rëndohet tej mase për shkak se favorizohet nga kushtet atmosferike, mungesa e vegjetacionit dhe përdorimi i thëngjillit dhe drunjve për ngrohje. Kjo ndotje është veçanërisht e dëmshme për personat me sëmundje kronike respiratore si bronkit, emfizema e astma. Po ashtu, ata me sëmundje kronike kardiovaskulare janë të rrezikuar tej mase nga ndotja. Por studimet tregojnë që ndotja e ajrit prek edhe personat e shëndoshë, duke nxitur paraqiten e sëmundjeve të ndryshme.

Dr. Morina, a mendoni se një mbyllje totale çfarë kemi parë në fillim të pandemisë do të ishte një zgjidhje e duhur apo ka ndonjë metodë më efikase të tejkalimit të gjithë situatës me pasoja sa më të lehta?

Duhet ta kemi parasysh që mbyllja dhe masat ekstreme të kufizimit merren me qëllim që numri i të infektuarve të ri të mos i tejkalojë kapacitetet e shërbimeve mjekësore të cilat i zotërojmë, pra që njerëzit të mos infektohen në numër shumë të madh për një kohë të shkurtër. Në rastin tonë, një mbyllje e re do të ishte e rëndë për ekonominë apo jetën në përgjithësi, por është një nga masat që duhet të merret nëse vërehet se numri i të infektuarve është mbi mundësitë absorbuese të shëndetësisë së atij vendi. Ajo është një masë e cila duhet të merret bazuar në kujdesin dhe përllogaritjen më të hollësishme nga institucionet dhe profesionistët adekuatë si përgjigje kundër situatës epidemiologjike. Nëse numri i të infektuarve vazhdon të rritet, atëherë mbyllja totale është mundësia e vetme reale e përballimit të fluksit dhe e evitimit të dështimit të shëndetësisë./Motilokal.com