Një lajm i mirë për të gjithë ata që do të blejnë vetura elektrike se Drejtoria Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor e Shqipërisë (DPSHTRR) do të rimbursojë çdo tarifë të regjistrimit për herë të parë për mjetet elektrike & plug-in.
Sipas drejtorit të DPSHTRR-së Blendi Gonxhja tarifat e regjistrimit do të bëhen zero, për kontrolli fizik 1,500 lekë, leje qarkullimi Kombëtare 1,000 lekë, targat standard 3,000 lekë dhe certifikatë pronësie 2,000 lekë. Në total do të jenë 7,500 lekë të reja për çdo mjet GREEN dhe do të mbulohen nga DPSHTRR.
“Nisma bazohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për Planin Kombëtar për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit” që adreson cilësinë e ajrit si një ndër çështjet mjedisore më kritike, që ka të bëjë me administratorët lokalë dhe autoritetet qendrorë, si dhe prek jetën e përditshme të çdo qytetari”, thuhet në njoftim.
“DPSHTRR bëhet kështu një ent promotor dhe protagonist edhe për risi konkrete për mbrojtjen e mjedisit dhe cilësisë së ajrit, uljen e ndotjes mes nxitjes së regjistrimit të mjeteve GREEN nga qytetarët si edhe ndërgjegjësimit për gjeneratat e së tashmes dhe së ardhmes.”
“Ky është një lajm i mirë i gjelbërt se vetëm një nga shumë nismat GREEN që DPSHTRR po përgatit për miratim në Këshillin tonë Drejtues dhe MIE, krahas propozimeve në kuadër të ndryshimeve në ligjin për taksat për mjetet rrugore, për miratim në MFE”, tha Gonxhja./Motilokal.com