Lajm i mirë: Kosova edhe zyrtarisht aplikon për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19

Lajm i mirë: Kosova edhe zyrtarisht aplikon për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se ka nënshkruar sot aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 në aleancën globale GAVI-COVAX.

Ai këtë e ka bërë të ditur në profilin e tij në Facebook, duke theksuar se apelimi për asistencë teknike lidhur me këto vaksina, është bërë ditë më parë, përmes Ekipit të ekspertëve, të themeluar nga ministri Zemaj me qëllim të sigurimit të kësaj vaksine.

“Aplikimi zyrtar në GAVI-COVAX nuk do të thotë se Kosova nuk do të shfrytëzojë edhe rrugë të tjera për të siguruar vaksina shtesë, sipas nevojës, përtej shifrës së 20% të vaksinave që do merren falas (apo rreth 360 mijë vaksina) nga COVAX, me që synimi është që të imunizohen kategoritë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19”, ka deklaruar ministri Zemaj.

Zemaj ka thënë se synimi ynë është që t’i vaksinojmë të grupet e popullatës që janë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga COVID-19, siç janë nëpunësit shëndetësor, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, personali i shërbimeve të angazhuara në menaxhimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19..., por pa e përjashtuar asnjë kategori që duhet të vaksinohet kundër COVID-19, duke përmbushur obligimin ligjor.

“Të vetëdijshëm se sigurimi i vaksinave përbën një obligim për ruajtjen e shëndetit publik të popullatës, Ministria e Shëndetësisë, qysh para disa muajve kishte vendosur kontakte me GAVI-COVAX, me qëllim që të sigurojmë vaksinën për qytetarët tanë. Për fat të mirë, Kosova është e listuar në mesin e shteteve që 20% të vaksinës kundër COVID-19 do ta marrin falas përmes aleancës globale GAVI-COVAX, derisa pjesën tjetër do ta blejë vet”, është shprehur Zemaj./Motilokal.com