‘Divjaka, Rikthimi i së Egrës’

‘Divjaka, Rikthimi i së Egrës’

“Divjaka, Rikthimi i së Egrës” është dokumentari më i fundit i gazetarit Artan Rama. Ky dokumentar ka në fokus të tij konfliktin njeri-natyrë që zhvillohet në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, që është Zonë e Rëndësishme për Shpendët, Zonë Ramsar, pjesë e rrjetit Emerald, zonë pilot për rrjetin Natura 2000.

Në ditët e sotme është lehtësisht e dukshme që Parku nuk është më i njëjti mjedis natyror i pacënuar që ka qenë më parë. Me kalimin e viteve, aktiviteti njerëzor ka lënë gjurmën e vetë mbi të. Ndikimi i bujqësisë intensive, ndotjes, ndryshimit të klimës, brakonazhit, turizmit masiv dhe faktorëve të tjerë, është i dukshëm jo vetëm për ekspertët, por edhe për komunitetin e zonës.

Këta faktorë paraqesin një kërcënim të konsiderueshëm për florën dhe faunën e zonës. Vlen të përmendet se në Lagunën e Karavastasë gjendet një popullatë e madhe e Pelikanit kaçurrel, e cila, përveç shqetësimeve gjatë sezonit të folezimit, përballet edhe me kërcënimin e vazhdueshëm të erozionit në ishullin ku gjenden foletë, për shkak të ngritjes së niveleve të ujit. Edhe vendasit ndihen nën presion. Shumë familje i sigurojnë të ardhurat përmes resurseve natyrore të Parkut. I tillë është dhe rasti i një bariu të zonës. Tufa e tij është zvogëluar ndjeshëm për shkak të transformimit të kullotave në toka bujqësore, duke vështirësuar kështu jetesën e familjes së tij.

Kërcënimi që vjen prej veprimtarisë njerëzore nuk ndalet me kaq. Për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik, parku tërheq vëmendjen e shumë investitorëve.

Shpresa për një të ardhme më të mirë për Parkun nuk është shuar. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta ka njerëz të dedikuar, të cilët punojnë me dëshirë për ta mbrojtur atë. Ruajtja e Parkut është subjekt avokatie për shumë mbrojtës të mjedisit, komunitetin dhe instancat lokale dhe sigurisht, AOS.

Projekti "Let’s Make Divjaka Natural Again!" financohet nga Critical Ecosystem Partnership Fund (CEPF) dhe implementohet prej AOS-Shoqata Ornitologjike Shqiptare në partneritet me PSEDA-Iliria dhe ResPublica./Motilokal.com