Qeveritë e të gjithë botës duhet të shpallin gjendjen e emergjencës klimatike, derisa bota të arrijë nivelin e zero emetimeve të CO2, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, në një samit me liderë botërorë.
Gutteres i tha Samitit se një emergjencë globale duhet të mbetet në fuqi derisa të arrihet neutraliteti i karbonit dhe të mos lëshohen më gazra serë në atmosferë.
Një numër vendesh në rritje kanë shtuar objektivat e tyre për arritjen e emetimeve zero, por vetëm pak kanë detajuar planet sesi do ta arrijnë atë.
Guterres tha se vendet e G20 po shpenzojnë 50% më shumë për paketat e stimujve për karburantet fosile, sesa në iniciativat e reduktimit të CO2.
“Kjo është e papranueshme,” tha ai në samitin online Climate Ambition Summit, i organizuar nga OKB, Britania e Franca.
“Triliona dollarë që nevojiten për rekuperimin nga pandemia e Covid po merren hua nga gjeneratat e ardhshme . Kjo është një provë morale. Ne nuk mund të përdorim këto burime për t’u bllokuar në politika që i bëhen barë gjeneratave të ardhshme, në një planet thuasje të marrë fund”, shtoi Guteres.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, premtoi më shumë se 600 milionë dollarë për të mbështetur përpjekjet globale për të luftuar ndryshimin e klimës, duke thënë se “të gjitha shtetet duhet të jenë në gjendje të financojnë investimet e nevojshme për mbrojtjen e klimës”.
Presidenti kinez, Xi Jinping, tha se vendi i tij do të ulte emetimet me 65 për qind para vitit 2030 krahasuar me nivelet e vitit 2005. Marrëveshja e Parisit, që u nënshkruar më 2015, i detyroi pjesëmarrësit të ndërmarrin hapa në përpjekje për të kufizuar ngritjen e temperaturës globale në më pak se 2 gradë Celsius.
Më shumë se 70 liderë botërorë, biznesmenë dhe aktivistë të shoqërisë civile, morën pjesë në samitin online, i cili shënon pesë vjet nga samiti i Parisit për klimën, ku vendet u zotuan të ruajnë ngrohjen e planetit nën 2gradë C mbi temperaturat e epokës para industriale, që konsiderohet nga shkencëtarët si limiti i sigurisë.
Por zotimet e bëra në Paris ishin të pamjaftueshme dhe objektivat përditësohen çdo pesë vjet nga vendet.
BE ka konfirmuar zotimin për reduktimit me 55% të emetimeve deri në 2030, teksa dhe vende të tjera si Kina, Japonia e Koreja e Jugut kanë prezantuar plane afatgjata për të arritur zero emetime deri në vitin 2050 apo 2060.
Sidoqoftë, Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar që temperatura e Tokës pritet të rritet më shumë se 3 gradë këtë shekull. Shtetet e Bashkuara, të cilat lëshojnë rreth 15 për qind të gazrave serë, u bënë vendi i parë që la marrëveshjen. Administrata e presidentit në largim të SHBA-së, Donald Trump, u tërhoq në nëntor. Masa erdhi tre vjet pasi Trump njoftoi planet e tij për të lënë marrëveshjen.
Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, më 12 dhjetor tha se Shtetet e Bashkuara do të jenë sërish pjesë e marrëveshjes.
“Unë menjëherë do të filloj të punoj me homologët e mi në të gjithë botën për të bërë gjithçka që mundemi, duke përfshirë edhe thirrjen e liderëve të ekonomive kryesore për një samit të klimës brenda 100 ditëve të para në detyrë“, tha Biden./Motilokal.com


