Lëvizjet për drejtësi klimatike po rriten çdo ditë e më shumë në gjithë globin, thuhet në një deklaratë të organizatës mjedisore “350.org”.
"Në Ditën Botërore të Mjedisit duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe për botën që na mban", tha Hoda Baraka, zyrtare e 350.org.
"Ne jemi dëshmitarë që shumë njerëz ngrenë zërin për të ndryshuar komunitetin ku jetojnë, të cilët kërkojnë ndëshkime për korporatat që ndotin mjedisin dhe njëkohësisht kërkojnë nga qeveritë e tyre të ndryshojnë politikat ambientaliste”, tha Baraka. "Anembanë globit, lëvizjet për drejtësi klimatike po rriten gjithnjë e më shumë", theksoi ajo.
Në të gjithë globin Dita Botërore e Mjedisit po shënohet me manifestime dhe ngjarje nga më të ndryshmet, të cilat bëjnë thirrje për veprim më të shpejtë dhe më të drejtë për mjedisin.
Lëvizja 350.org, e cila u themelua në vitin 2008, është një lëvizje ndërkombëtare, e cila ka për qëllim sensibilizimin për ruajtjen e mjedisit me konkretisht ndryshimet klimatike me qëllim të uljes së dioksid karbonit atmosferik.
Numri ‘350’ ka të bëjë me 350 copë për një milion, që është sasia e sigurt e dioksidit të karbonit në atmosferë. /Motilokal/


