Moti i ligë ka përfshirë edhe gjirin e Vlorës. Sipas paraljmerimeve nga Porti Detar i Vlorës, era me shpejtësi deri në 17 m/s nga Jugu ka shkaktuar dallgë 6-ballëshe në det të hapur, ndërsa në gji deri në 4 ballë.
“Për shkak të situatës në fjalë nuk lejohen të lëvizin mjetet e vogla lundruese si dhe peshkarexhat, ndërkohë që trageti i linjës Vlorë-Brindisi ka dalë në det të hapur, për t’u ankoruar ditën e hënë në mol, me qëllim vijimin e lundrimit drejt Italisë”, thuhet në njoftim.
Edhe Bashkia e Vlorës u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangnit të gjitha lëvizjet me vetura për shkak të shirave të dendur dhe erërave të forta.
“Paralajmërimet e meteorologëve për përmbytje, na bëjnë të jemi të kujdesshëm. Kujdesuni për veten dhe familjarët tuaj! Për çdo nevojë vendosni kontakt me Ujësjellës Kanalizimet dhe Shërbimet publike të Bashkisë”, njofton Bashkia e Vlorës./Motilokal.com


