Fjollat e borës kanë zbardhur qytetin e Pukës, duke ofruar një pamje vërtetë magjike dhe duke kombinuar mjaft bukur liqenin dhe malet me ‘vellon’ e bardhë.
Puka shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.
Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë, mjaft të përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut) dhe për veprimtari të tjera rekreative, çlodhëse e argëtuese.
Liqeni i qytetit është sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.
Po ashtu Puka njihet për masivin e madh pyjor të pishave, me një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Vetitë kurative të pishës janë të shumta.
Më poshtë ju sjellim disa foto të borës në qytetin e bukur të Pukës të shkrepura mjeshtërisht nga fotografi Ilir Shyti./Motilokal.com







