Në mars hapet ankandi për parqet eolike, Balluku: Pas 15 vitesh do të përdoren nga shteti

Në mars hapet ankandi për parqet eolike, Balluku: Pas 15 vitesh do të përdoren nga shteti

Në muajin mars do të hapet ankandi i parë për ndërtimin e parqeve eolike për prodhimin e energjisë elektrike nga era, këtë e ka bërë të ditur ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku gjatë një interviste.

Ajo ka thënë se këto parqe po zhvillohen në Evropë dhe kontribuojnë në shtimin e burimeve energjetike të vendit.

Ministrja Balluku u shpreh se parqet eolike janë një trend i ri në Europë dhe ne kemi vendosur që t’i japim një mundësi investitorëve shqiptarë duke i mbështetur pasi parqet eolike kanë çmimin e paracaktuar siç është PPA. Është një nënsektor i energjisë elektrike i cili ka filluar të lëvizë.

Sipas saj ankandi do t’i japë mundësinë ofertuesve të propozojnë projekte me një kapacitet minimal prej 30 MW dhe maksimal prej 75 MW.

“Ministria do të mbështesë fituesin me çmimin e paracaktuar që është 75.6 euro për MW. Çdo ofertues i përzgjedhur do të lidhë një marrëveshje të blerjes së energjisë me afat 15-vjeçar për të shitur 100% të energjisë së prodhuar nga projekti i tij. Ndërsa në rastin e Parkut të Karavastasë shteti garantoi blerjen e vetëm 50% të energjisë që do të prodhohej”, deklaroi ministrja Balluku.

Më tej ajo theksoi se pas përfundimit të periudhës 15-vjeçare shteti shqiptar ka të drejtën që t’i nxjerrë përsëri në ankand këto parqe apo edhe t’i përdorë vetë si burime energjetike.

“Brenda këtij viti do të hapen edhe ankande hibride, ku shteti garanton vetëm çmimin e shitjes së energjisë, dhe nuk garanton as tokën”, tha ministrja Balluku për Report TV.

“Ankandet hibride janë të mbështetura me çmim të paracaktuar nga shteti shqiptar, por pa pasur angazhime të tjera. Në rastin e ankandeve fotovoltaike ne vendosim edhe tokën, ndërsa në rastin e ankandeve hibride nuk na duhet që të kemi një tokë apo angazhime të tjera, i vetmi angazhim është çmimi i paracaktuar siç ligji e parashikon. Çmimi i paracaktuar është një mbështetje e pastër ekonomike që buxheti i shtetit i jep investitorëve për ta nxitur atë”, theksoi Balluku./Motilokal.com