Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve më 15-17 janar në Shqipëri

Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve më 15-17 janar në Shqipëri

Viti 2021 shënon 55 vjetorin e Censusit Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit. Ky program përfaqëson aktivitetin më të madh të shkencës së qytetarëve që organizohet në 143 vende të botës, me qëllim numërimin e shpendëve nëpër mijëra ligatina përgjatë globit.

Përpjekjet e lavdërueshme për të zbatuar censusin e shpendëve të ujit në vendin tonë datojnë që prej vitit 1993. Megjithatë, mungesa e konsiderueshme e burimeve njerëzore në fushën e ornitologjisë, në atë periudhë, e bënte të pamundur zbatimin e metodikës së censusit, pavarësisht se rezultatet janë të pranueshme në trajtën e monitorimit të shpendëve dimërues. Udhëzimet metodologjike për këtë census kërkojnë që numërimi të fillojë e të përfundojë brenda fundjavës që shënon mesin e muajit janar. Në të kaluarën, ky aktivitet është realizuar në një shtrirje të gjatë kohore, ndërkohë që popullatat e shpendëve, sikurse është vërtetuar, lëvizin nga një ligatinë drejt tjetrës (brenda apo jashtë vendit), duke bërë që të njëjtët individë apo popullata shpendësh, të numërohen 2 apo më shumë herë, apo madje asnjëherë, duke rritur, në këtë mënyrë, nivelin e gabimit në rezultatet e përftuara. Kjo dukuri është veçanërisht e theksuar në kushtet e vendit tonë, ku ligatinat ndodhen pranë njëra - tjetrës dhe kanë karakter tejet të ngjashëm.

Në fundin e vitit 2015, PPNEA i sugjeroi dhe kërkoi projektit “Natural” të mbështesë këtë aktivitet, një kërkesë e cila u pranua me dashamirësi. Falë mbështetjes së ofruar nga projekti në fjalë, viti 2016 shënon zanafillën e organizimit korrekt të censusit të shpendëve të ujit, duke u mbështetur në shtyllat e duhura metodologjike. Ekipi ynë, në këtë vit, arriti të mobilizojë një numër të lartë njerëzish dhe institucionesh, si ato të vendit tonë, ashtu edhe ato të huaja.

Që prej asaj kohe, ky aktivitet mbështetet nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë apo organizata jo-fitimprurëse mjedisore. Falë rritjes së cilësisë së zbatimit, ky aktivitet është kthyer në pararojë të monitorimit të shpendëve të egër në vendin tonë.

Cilët janë treguesit e rritjes së cilësisë së zbatimit?

•Reduktimi i kohës së zbatimit të censusit (nga disa javë → në vetëm 3 ditë), duke synuar për përmbushjen e udhëzimeve metodologjike të cilat kërkojnë që procesi të përfundojë brenda dy ditëve;

•Numri i ligatinave ku censusi organizohet është dyfishuar;

•Censusi tanimë është kthyer në një aktivitet të hapur ku marrin pjesë disa institucione, dhjetra entuziastë, ekspertë të rinj të fushës, si dhe dashamirës të natyrës.

•Cilësia dhe besueshmëria e rezultateve është rritur ndjeshëm, për shkak të progresit të bërë në zbatimin e metodikës.

•Që prej vitit 2016, rezultatet e censusit organizohen në një raport nga koordinatori kombëtar (pranë Wetlands International) z. Taulant Bino, shpërndahen te të gjitha grupet e interesit dhe janë të disponueshme për të gjithë.

Përmirësimi i organizimit të censusit të shpendëve të ujit është një prej atyre rasteve ku tregohet më së miri se, nëse kemi vullnet, devotshmëri për natyrën dhe vendin tonë, mund të arrijmë gjithçka, e madje me një cilësi të lartë. Ne falënderojmë dhe i jemi mirënjohës të gjithë atye që kanë qenë dhe janë pjesë e këtij progresi. Ekipi ynë është i vendosur për arritjen e përsosmërisë edhe në skema të tjera të rëndësishme për monitorimin e shpendëve të egër në Shqipëri.

PPNEA dhe “Shpendët e Shqipërisë”, së bashku me AdZM Vlorë, Gjirokastër dhe Dibër, do të mbulojnë disa prej ligatinave më të rëndësishme në vend, si Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe Parku Kombëtar i Butrintit, duke mos përjashtuar edhe zona të tjera, si Laguna e Orikumit, Syri i Kaltër, Rezervuari i Bulos dhe Liqeni i Ulzës./Motilokal.com