2020-ta, viti më i nxehtë në historinë e botës

2020-ta, viti më i nxehtë në historinë e botës

Viti 2020 ka qenë një vit i vështirë për planetin. Ishte viti më i nxehtë, me temperatura shumë pak mbi rekordin e vendosur në vitin 2016, sipas NASA-s.

Kriza e klimës la gjurmët e saj në vitin 2020 me rritjen e temperaturave, uragane të fuqishëm dhe zjarre të një shkalle të lartë.


Sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore e Meteorologjisë (OBM), thuhet se dekada që sapo ka përfunduar (2010-2020), ka qenë më e nxehta e regjistruar, ndërsa vitet 2016 dhe 2020 janë shënuar si vitet më të nxehta që kur njerëzit kanë filluar të masin temperaturat.


Vitin e kaluar, temperatura mesatare globale ishte rreth 14.9 gradë Celsius, tha raporti. Kjo është rreth 1.2 gradë Celsius mbi nivelet e regjistruara para epokës industriale, duke filluar rreth vitit 1850.


“Këtë shekull ne jemi drejt një rritje katastrofike të temperaturës prej 3-5 gradë Celsius”, tha sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përmes një deklarate.


Viti i kaluar ishte “një shembull i asaj se si është të jetosh nën disa nga efektet më të rënda të ndryshimit të klimës”, tha meteorologu i NASA-s, Lesley Ott.


“Proceset natyrore që ka Toka për thithjen e dioksidit të karbonit të lëshuar nga aktivitetet njerëzore – bimët dhe oqeani – thjesht nuk janë të mjaftueshme për të thithur sasinë që po e lëshojmë në atmosferë”, tha, Gavin Schmidt, drejtor i Institutit për Studime Hapësinore “Goddard” të NASA-s./Motilokal.com