Sot, në një konferencë të mbajtur online, Projekti për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (ARDP) i financuar nga Banka Botërore dhe i zbatuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, prezantuan strategjinë kombëtare për ripërtëritjen e sistemit të ujitjes në të gjithë vendin tonë – një projekt kapital që kap vlerën prej 600 milion eurove, dhe i cili synon të implementohet në 12 vitet e ardhshme.
Në ngjarjen inaguruese të Master Planit për ujitjen e tokave bujqësore të Kosovës u prezantuan të gjeturat kryesore, si dhe disa nga analizat dhe vlerësimet e detajuara të potencialit të resurseve ujore dhe tokës bujqësore që ka vendi ynë për tu përdorur në sektorin e bujqësisë. Pjesëmarrës dhe folës në këtë ngjarje ishin Ministri i MPBZHR në detyrë, Besian Mustafa, Drejtori i Bankës Botërore për Republikën e Kosovës dhe Maqedoninë e Veriut, Massimilano Paolucci, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Tomash Sunjog (Tomáš Szunyog), Eksperti Ndërkombëtar i Irrigacionit, Jullien Lecollinet dhe disa fermerë kosovarë të cilët parashtruan pyetje për të pranishmit.
Në këtë ngjarje inaguruese u tha se Master Plani jep pasqyrën reale se sa ujë kemi, dhe sa tokë bujqësore mund të ujisim nëse e përdorim kapacitetin e plotë të ujit për ujitje. Gjithashtu Master Plani pasqyron projektet prioritare ku do të duhet të punohet, duke përfshirë këtu investimet e reja dhe ato të rehabilitimit të skemave ekzistuese të ujitjes.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa në konferencën e promovimit të Master Planit të Ujitjes së Tokave Bujqësore të Kosovës tha: "Zbatimi i Master Planit të ujitjes së tokave bujqësore, do ta transformoj bujqësinë e Republikës së Kosovës, do të krijojë nevojë për vende të reja të punës për qytetarët tonë, do t'i përmbushë nevojat e bujkut kosovar dhe do të ndikojë pozitivisht në ekonominë tonë."
Ndërsa shefi i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci në konferencën e promovimit të Master Planit të Ujitjes së Tokave Bujqësore të Kosovës theksoi: "Që prodhimi i ushqimit të jetë një burim efektiv i jetesës për njerëzit, i gjithë sektori i bujqësisë nga mënyra se si është i organizuar duhet të ketë një vështrim të dytë më të thellë për të parë se çfarë duhet bërë për të përmirësuar performancën e tij. Dhe Masterplani është një pjesë thelbësore e kësaj.”
Ndërkaq, shefi i Zyres së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog në konferencën e promovimit të Master Planit të Ujitjes së Tokave Bujqësore të Kosovës u shpreh: “Ekziston një nevojë për program të konsoliduar të mbështetjes së ujitjes në Kosovë. Masterplani i ujitjes, i cili tani po përgatitet nga Ministri Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me mbështetjen e Bankës Botërore, është mjeti i duhur për t'u përdorur për ndërhyrjet e ardhshme."
Eksperti i ujitjes, Julien Lecollinet në konferencën e promovimit të Master Planit të Ujitjes së Tokave Bujqësore të Kosovës deklaroi: "Master Plani duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i harmonizuar me strategjitë më të gjera sektoriale. Ky Master Plan duhet të zhvilloj një strategji me bazë të gjerë për sektorin e ujitjes, për të drejtuar investimet e ardhshme dhe masat e menaxhimit."/Motilokal.com