Meteorologët bëjnë të ditur se nga data 22 e deri me 25 janar priten reshje të mëdha shiu në tërë territorin e Shqipërisë.
Edhe Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisi (IGJEUM) në raportin e saj të fundit thekson se gjatë këtyre datave priten reshje intensive, të cilat do të jenë më të përqendruara në veri dhe në jug të territorit.
Ndër të tjera bëhet me dije se këto reshje do të sjellin rritje të prurjeve dhe niveleve në Lumenjtë Drin-Buna, Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Vjosa.
“Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datave 22-25 janar 2021 priten reshje intensive, të cilat do të jenë më të përqendruara në veri dhe në jug të territorit. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të prurjeve dhe niveleve në Lumenjtë Drin-Buna, Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Vjosa. Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve lumorë, mund të ketë vërshime të shpejta të përrenjve dhe lumenjve më të vegjël. Lumenjtë e tjerë do kenë rritje të prurjeve por nuk parashikohet rrezik nga përmbytjet. Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve më të fundit hidrologjike dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e rrezikut të përmbytjeve”, thuhet në njoftim./Motilokal.com