Në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, shtohen sipërfaqet e gjelbëruara me fidane të reja

Në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, shtohen sipërfaqet e gjelbëruara me fidane të reja

Ministri i Mjedisit dhe i Turizmit mori pjesë në mbjelljen e mbi 200 fidanëve nga maturantët e Shkollës së Mesme e Bashkuar Cerm-Shkumbin. Mbjelljet u bënë në një sipërfaqe në zonën e plazhit pranë Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Në një deklaratë për media, Klosi tha se “është bërë traditë tashmë që Agjencia e Zonave të Mbrojtura kudo në Shqipëri, po sidomos Administratat e Zonave të Mbrojtura në zonat liganore së bashku me nxënësit e shkollave, dhe konkretisht sot ne jemi me nxënësit e shkollave të mesme të Bashkisë Divjakë, për mbjelljen e pemëve të reja në një numër të konsiderueshëm”.

“Këtu jemi në një park të ri, i cili po krijohet në vite nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura Divjakë dhe po krijojnë një sipërfaqe të re të pyllëzuar. Padyshim në sy të lirë duken si pemë të reja që kanë vetëm dy tre vjet që po realizohen, por në harkun kohor të 5-6 viteve kjo zonë do të jetë si zona e parë e pishave duke krijuar një mbrojtje shumë të mirë për të gjithë zonën e mëtejshme”, – tha Klosi.

Sipas tij, është në fakt një thirrje e vazhdueshme për të shtuar sipërfaqet e gjelbëra, për të shtuar sipërfaqet e pyllëzuara në vendin tonë, pasi dhe vetë koha, vetë ndryshimet klimatike, sidomos periudha në të cilën jetojmë në kuadër të pandemisë, na dëshmon se sa shumë punë duhet të bëjmë për mjedisin.

“Do të doja shumë të përgëzoja angazhimin maksimal që kanë të rinjtë e shkollave të mesme të bashkisë së Divjakës, të cilët gjithmonë i gjen në krahë të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe jo vetëm në procesin e mbjelljeve, por në të gjitha proceset që kanë të bëjnë me mbrojtjen e kësaj pasuritë madhe kombëtare”, u shpreh Klosi./Motilokal.com