Laguna e Kune-Vainit, 8 kilometër larg qytetit të Lezhës, është kthyer në një atraksion të përhershëm për turizmin e natyrës, vëzhgimit të shpendëve ujorë, të historisë, por edhe të kulinarisë së veçantë të zonës.
Kompleksi ligatinor i Lezhës shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 30 km2 dhe është një zonë e rëndësishme për shpendët migrues dhe veçanërisht e njohur gjatë viteve të fundit për koloninë e çafkës së verdhë dhe të vogël të bardhë (Ardeidae).
Për vlerat e natyrës që mbart si edhe për biodiversitetit, kjo zonë është shpallur si hapësirë e mbrojtur dhe ka marrë emërtimin Rezervat Natyror i Menaxhuar. Në të vërtetë Kune-Vaini është zona e parë e mbrojtur në historinë e ruajtjes së natyrës në Shqipëri, pasi që prej vitit 1960 është shpallur Rezervat Gjuetie.
Një vizitë në këtë zonë do ju bëjë të mahniteni nga larmia e madhe e habitateve si edhe nga një pasuri fantastike e faunës.
Shumëllojshmëria e habitateve dhe karakteristikat e tyre natyrore ose gati natyrore kanë krijuar kushtet e duhura për specie përfaqësuese të biodiversitetit.
Ndër gjallesat e egra, specie me status të veçantë që konsiderohen globalisht të rrezikuara, janë karabullaku dhe lundërza.
Kjo lagunë është e vetmja zonë shumëzimi për çafkën e vogël. Ajo vizitohet herë pas here nga breshkat e detit dhe foka mesdhetare që kanë një rëndësi të veçantë në ekosistemin mesdhetar.
Laguna Kune-Vain ka një panoramë të mrekullueshme, ka infrastrukturë të ngritur në ndihmë të vizitorëve, vlera arkeologjike dhe kulinari interesante.
Në përbërje të Lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.
Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish si qefull, levrek, koca, ngjala. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm), e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, 23 specie gjitarësh: lepuri, dhelpra, ujku, derri i egër, etj.
Ju sjellim disa foto të mrekullueshme të Lagunës Kune-Vainit të shkrepura nga fotografi dhe alpinisti Fation Plaku./Motilokal.com