Në trevat e Librazhdit të sotëm ndodhen disa shpella të banuara, të quajtura shpella eremite, ose shpella kisha, si në fshatrat Koshorisht, Skroskë dhe Urakë, të cilat kanë në muret e tyre shkëmbore piktura murale me tematikë biblike.
Në njërën prej këtyre shpellave dhe pikërisht në atë të fshatit Koshorisht, ndodhet një nga pikturat më të mëdha shpellore në Shqipëri.
Piktura e shpellës eremite të Koshorishtit ka disa skena, të cilat mbartin vlera të rëndësishme kulturore dhe historike. Krahas skenave biblike janë pikturuar edhe tetë figura njerëzore, që mendohet se i përkasin familjes së njohur të aristokracisë shqiptare, asaj të Aranitëve.
Ndërhyrjet brutale në pikturën e shpellës së Koshorishtit, duke shkatërruar figurat e familjes së klitonit, që mendohet se janë të Familjes Princërore të Aranitëve.
Shpella eremite e Koshorishtit është shpella më e madhe. Ajo gjendet në fshatin Koshorit të krahinës së Çermenikës dhe është quajtur ndryshe “Shpella e kishës”.
Fshati Koshorisht është i përmendur si një vendbanim që në shek.e 15-të. Ai figuron në një regjistër kadastral osman të vitit 1467, me emrin Kosharishtë.
Duke qenë se shpella ndodhet në faqen e Malit të Letmit, ajo njihet në literaturën shkencore si “Shpella e Letmit”. Por shpella ndodhet në territorin e fshatit Koshorisht, ndaj ne kemi preferuar që ta quajmë “Shpella e Koshorishtit”. Në vitin 1971 Shpella e Letmit (Koshorishtit) është shpallur Monument Natyre dhe Kulture.
Shpella ndodhet mbi një shkëmb të thepisur, në faqen jugore të Malit të Letmit, në një lartësi prej 300 metra dhe në një pozicion shumë të vështirë për t’u ngjitur. Ajo ka formën e një zgavre natyrore rrethore dhe thellësia e saj është rreth 8 metra. Në hyrje të saj shpella ka një gjerësi rreth 15 metra dhe më tej ajo vjen duke u ngushtuar, duke formuar një ambient si dhomë me dimensionet 7 x 5 metra. Në hyrje të shpellës dallohen disa fragmente muresh guri të lidhura me gëlqere, që dëshmojnë se shpella duhet të ketë qenë e mbyllur me mur. Gjithashtu, në rrëzë të tavanit, duken disa gjurmë të gdhendura në shkëmb, që kanë shërbyer për të vendosur trarë.
Ju sjellim disa foto të mrekullueshme të shpellës eremite të shkrepura nga fotografi dhe alpinisti Fation Plaku./Motilokal.com