Moti i ligë godet Shqipërinë/ Në Vlorë peshkatarët nuk lejohen të lundrojnë, në Durrës kërkohet kujdes

Moti i ligë godet Shqipërinë/ Në Vlorë peshkatarët nuk lejohen të lundrojnë, në Durrës kërkohet kujdes

Moti i ligë ka përfshirë të gjithë zonën bregdetare me era në drejtim të jugut dhe shpejtësi deri në 48 kilometra në orë, si dhe lartësi të dallgëve deri në 3 metra.

Në det të hapur regjistrohet një dallgëzim prej 7 ballësh, ndërsa brenda gjirit të Durrësit ajo është 5 ballë.

Kjo situatë ka sjellë pezullimin e lundrimeve të anijeve të tonazhit të vogël, përfshirë dhe anijet e peshkimit, ndërsa tre tragetet e linjave detare me portet italiane të Barit dhe Ankonës kanë mbërritur në kohë.

Po ashtu janë pezulluar të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit në portin e Vlorës për shkak të kushteve meteorologjike.

“Në bazë të parashikimit të kushteve hidrometeorologjike për 72 orët e ardhshme në portin e Vlorës dhe jashtë saj do të jenë: Era dhe deti në drejtimin jug-jugperëndim forca 5-6bft brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë gjirit të Vlorës: Era dhe deti në drejtimin jug-jugperëndim forca 6-7bft deri 8bft jashtë”, thuhet në njoftim.

Nga kapiteneria e Portit njoftohet se përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike do të jetë në datën 24 janar ora 06:00.

IGJEUM dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak kanë parashikuar reshje intensive shiu prej datës 22 deri më 26 janar në të gjithë territorin e vendit. Bazuar në këto të dhëna, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes, ka paralajmëruar bashkitë dhe prefekturat të marrin masat në mënyrë që kjo situatë të mos i gjejë të papërgatitur./Motilokal.com