Aeroporti i Vlorës rrezikon ekosistemin, Klosi u përgjigjet grupeve për mbrojtjen e mjedisit: Nuk ka ndërtim të ri

Aeroporti i Vlorës rrezikon ekosistemin, Klosi u përgjigjet grupeve për mbrojtjen e mjedisit: Nuk ka ndërtim të ri

Një koalicion prej 37 organizatave shqiptare dhe ndërkombëtare ka kërkuara nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama që të anulojë ndërtimin e aeroportit të Vlorës pranë zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë që sipas tyre “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në ekosistemin e strehës së shumë llojeve të zogjve.”

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, i cili ka thënë se aeroporti i Vlorës ka qenë historikisht në zonën ku pritet të ndërtohet.

“Mbrojtja përfundimtare e Lumit të Vlorës si Park Kombëtar me të gjithë vlerat që ai ka, me të gjithë ato të mirat që ai afron dhe natyrisht vazhdimi siç ka qenë Aeroporti i Vlorës një zonë, një njollë që ka qenë aeroporti historik dhe nuk ka një investim të ri, nuk ka një ndërtim të ri por është në mënyrën se si do të zhvillohet ai aeroport padyshim do të përkohet që në Projektin Studimor përsa i përket mjedisit të jetë një zonë e cila të respektojë rregullat, të jetë një zonë e cila në mënyrën se si do të funksionojë nuk është një gjë e re, është një investim i cili ka qenë, do të zhvillohet dhe do të prodhojë shumë të ardhura, mirqënie edhe shumë të mira për vet komunitetin e kësaj zone dhe natyrisht për gjithë Shqipërinë”, ka deklaruar Klosi nga Vlora.

Laguna e Nartës dhe zonat rreth saj përfshijnë mbi 19.000 hektarë sipërfaqe, një zonë kjo që është më e madhja dhe më e rëndësishmja sa i përket ekosistemit të ligatinave në hapësirën e Mesdheut, e njohur si një zonë kyç e biodiversitetit me mbi 200 lloje shpendësh si pelikani, çafka, pulëbardha dhe flamingo.

Duke iu referuar zyrtarëve lokalë si dhe banorëve të zonës, qetësia e krijuar për shkak të masave kufizuese prej koronavirusit ka bërë që të vërehet një rritje e popullsisë së flamingove në Lagunën e Nartës në rreth 3000 syresh. Kjo tregon, se laguna është një terren i përshtatshëm për mbarështimin e shpendëve.

Organizatat e mjedisit thonë, se konstruktime të tilla në këtë zonë bien ndesh me konventat që ka nënshkruar Shqipëria. Koalicioni i organizatave të mbrojtjes së natyrës i është drejtuar kryeministrit Edi Rama, që ta anulojë ndërtimin e aeroportit, sepse kjo mund të shkatërrojë mjedisin e zonës duke shkaktuar zhvendosjen e shumë specieve. Grupi paralajmëron, se fluturimi i avionëve në këtë hapësirë mund të “ketë pasoja tragjike” për shkak të përplasjeve me një numër të madh të shpendëve./Motilokal.com