Rikthehen reduktimet e ujit si pasojë e turbullirës së sërishme në kanalin e Ibër Lepencit

Rikthehen reduktimet e ujit si pasojë e turbullirës së sërishme në kanalin e Ibër Lepencit

Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka bërë të ditur që si pasojë e reshjeve të shiut dhe vërshimeve në disa zona të vendit, kemi rritje të sërishme të turbullirës në kanalin e Ibrit, që bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë.

“Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije, t’i ruajmë pajisjet teknologjike, jemi të detyruar që sërish të zvogëlojmë në minimum prodhimin e ujit nga Impianti i Trajtimit të Ujit në Shkabaj”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e KRU “Prishtina” thekson se në mënyrë që të bëjmë shpërndarje të barabartë të ujit për të gjithë konsumatorët dhe që fokusi i mosfurnizimit me ujë të mos jenë vetëm zonat që furnizohen nga ITUP Shkabaj, ju njoftojmë me orarin e reduktimeve për këto zona (të cilat reduktime hyjnë në fuqi nga sot deri në stabilizimin e gjendjes):

Nga ora 11:00-16:00 me reduktime nga dita e sotme do të jenë: Bregu i Diellit, banesat e bardha, Mati 1, Zllatari, Kolovica, Sofalia, Tasligje, Ulpiana, Kodra e Trimave, Arbëria, Lagjja e Spitalit, lagjja e Universitetit, Konviktet, Hajvalia, Graçanica dhe Veterniku.

Ndërsa duke filluar nga ora 12:00-16:00, reduktime të ujit do të kenë vetëm pikat e larta të qendrës së Prishtinës, Dardania, Lakrishtja, lagjja Pejton dhe Kalabria.

Ndërsa, me reduktime nga ora 11:00-17:00 do të jenë të gjitha fshatrat që gravitojnë përgjatë gypit magjistral Albanik-Podujevë.

Fushë Kosova do të ketë reduktime nga ora 11:00-16:00 dhe nga ora 23:00-05:00.

Sa i përket Drenasit është në gjendje më të rënduar për shkak që furnizimin e vetëm e ka nga stacioni i pompave në Bivolak, ku uji merret për trajtim direkt nga kanali i Ibrit duke mos pasë alternative të tjera për furnizim.

Pra, kjo po realizohet për t’iu mundësuar furnizim zonave më të prekura nga turbullira e ujit në kanalin e Ibrit!/Motilokal.com