Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit bën thirrje për mbrojtjen e pyjeve dhe Parqeve Kombëtare nga zjarret

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit bën thirrje për mbrojtjen e pyjeve dhe Parqeve Kombëtare nga zjarret

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), përmes një njoftimi ka bërë thirrje për mbrojtje e pyjeve dhe Parqeve Kombëtare, pasi që nga e mbrëmja e së premtes zjarret kanë përfshirë malet e Rugovës.

Në njoftimin e AMMK-së thuhet se gjatë tri ditëve të fundit Drejtoria e Parkut Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna” së bashku me ekipet e zjarrfikësve, janë përballur me zjarret që janë përhapur në pyjet e parkut në rajonin e Milishevcit afër fshatit Stankaj. Përkundër angazhimit të vazhdueshëm për lokalizimin e zjarreve dhe fikjen e tyre disa vatra zjarri ende janë aktive.

“Deri me tani nuk ka ndonjë informacion të vërtetur për shkaqet e zjarreve mirëpo ka indikacione që ato të jenë përhapur si pasojë e pakujdesive të banorëve lokal apo vizitorëve në park edhe pse nuk përjashtohet mundësi që zjarret të jenë edhe të qëllimshme. Duhet përmendur se vetëm gjatë ditës së djeshme janë fikur 10 vatra të reja të zjarreve në rajonin e Roshkodolit. Për këtë është njoftuar edhe Policia e Kosovës dhe Organet e Prokurorisë të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me rastin”, njofton AMMK.

AMMK thekson se duke marrë për bazë thatësinë po vazhdon gjatë këtyre ditëve në vendin tonë, mundësia e përhapjes së zjarreve të reja nëpër pyje përfshirë edhe pyjet në Parqet Kombëtare është evidente.

Prandaj me qëllim të parandalimit të paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre, Ministri i MMPH-së ka bërë apel për të shtuar kujdesin për të evituar paraqitjen e zjarreve të reja. Ndërsa Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës përmes Drejtorisë për Administrimin e PK Sharri dhe Drejtorisë për Administrim e PK Bjeshkët e Nemuna, ka shtuar vigjilencën, gatishmërinë, kontrollin dhe monitorimin e territorit të Parqeve.

Sipas AMMK-së për të menaxhuar këtë situatë në mënyrë më efikase, është shtuar edhe niveli i bashkëpunimit me të gjitha organet relevante si njësitë e emergjencave në komunat përkatëse, njësitë e zjarrfikësve, Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera.

AMMK apelon tek të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht tek vizitorët, banorët e zonave të parqeve, shfrytëzuesit e pronave, dhe qytetarët tjerë që të kenë kujdes maksimal në parandalimin e paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre në territorin e parqeve.

“Ju bëjmë me dije po ashtu se bazuar ne Rregulloren për Rendin e Brendshëm të Parqeve Kombëtare Nr. 21/2013, “ndalohet ndezja e zjarrit jashtë vendbanimeve dhe në raste të ndezjes së zjarreve personat përgjegjës do të sanksionohen”, bënë të ditur AMMK.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit kërkon nga të gjithë që në rast se shihni ndonjë ndezje eventuale të zjarrit në Parqe Kombëtare ta lajmëroni Drejtoritë përkatëse. Numrat e Kontaktit për Drejtorinë e Parkut Kombëtar “ Bjeshkët e Nemuna” është: 044 155735, ndërsa për Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” janë: 045 308164 dhe 044 263 188.

Numrat emergjentë të disa institucioneve me rëndësi që duhet t’i keni parasysh janë:

Zjarrfikësit 193, Policia e Kosovës 038/192, mobil 192, Qendra e thirrjeve në kuadër të Policisë së Kosovës 112, Ndihma e shpejtë 194 dhe 038/ 500 094. /Motilokal.com