Joe Biden shpall gjendjen e katastrofës në Teksas

Joe Biden shpall gjendjen e katastrofës në Teksas

Presidenti amerikan Joe Biden ka shpallur gjendje të katastrofës së madhe në Teksas, duke hapur rrugën për më shumë fonde federale si ndihmë për këtë shtet.

Energjia po kthehet në Teksas dhe temperaturat janë vendosur të rriten, por rreth 13 milionë njerëz ende po përballen me vështirësi për t’u qasur në ujë të pastër, shkruan BBC.

Biden ka thënë se ai do të vizitojë Teksasin, nëse prezenca e tij nuk është barrë, ndërkohë që po bëhen përpjekje për ndihmë.

Nga i ftohti i madh deri më tani janë raportuar gati 60 persona të vdekur.

Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden tha se ai kishte "urdhëruar ndihmë federale për të shtuar përpjekjet e rimëkëmbjes së shtetit dhe asaj lokale në zonat e prekura nga stuhitë e mëdha të dimrit".

"Ndihma mund të përfshijë grante për strehim të përkohshëm dhe riparime shtëpish, kredi me kosto të ulët për të mbuluar humbjet e pronave të pasiguruara dhe programe të tjera për të ndihmuar individët dhe pronarët e bizneseve të rikuperohen nga efektet e katastrofës", thuhet në deklaratë.

Biden ka qenë në kontakt me kryetarët e bashkive të disa prej qyteteve më të mëdha të Teksasit, të tilla si Hjustoni, Austin dhe Dallas, për të siguruar që ata të kenë qasje në burimet qeveritare, tha një zyrtar i administratës.

Shumë shtete tjera jugore janë goditur po ashtu nga bora dhe stuhia e akulltë këtë javë, çka ka rezultuar me mungesa të ujit.

Përgjatë jugut të Shteteve të Bashkuara, rajon që nuk është mësuar me temperatura kaq të ulëta dhe ku rezervuarët e ujit janë ngrirë, banorët kanë shkrirë borën për të fituar ujë./Motilokal.com