Në pranverë, ajri në Sevilje mban aromën e ëmbël të luleve të portokajve, por 5.7 milion kilogramë fruta që 48.000 pemët e qytetit prodhojnë, bien në rrugë gjatë dimrit, duke rrezikuar jetën e këmbësorëve dhe duke shkaktuar një dhimbje koke për punonjësit që pastrojnë qytetin.
Tanimë është nisur një skemë për të prodhuar energji elektrike me lëng portokalli. Qyteti jugor spanjoll ka filluar një skemë pilot për të përdorur metanin e prodhuar nga fermentimi i frutave, për të gjeneruar energji elektrike të pastër.
Skema fillestare e nisur nga Emasesa, ndërmarrja komunale e ujit, do të përdorë 35 ton fruta për të gjeneruar energji të pastër për të drejtuar një nga impiantet e pastrimit të ujit të qytetit. Portokajtë do të shkojnë në një objekt ekzistues që tashmë gjeneron energji elektrike nga lënda organike. Ndërsa portokajtë fermentohen, metani i kapur do të përdoret për të drejtuar gjeneratorin.
"Shpresojmë që së shpejti të jemi në gjendje të riciklojmë të gjithë portokajtë e qytetit", tha Benigno López, kreu i departamentit të mjedisit të Emasesa. Për ta arritur këtë, ai vlerëson se qyteti do të duhet të investojë rreth 250,000 euro.
"Lëngu është fruktozë i përbërë nga zinxhirë shumë të shkurtër karboni dhe performanca energjetike e këtyre zinxhirëve të karbonit gjatë procesit të fermentimit është shumë e lartë", tha ai. “Nuk ka të bëjë vetëm me kursimin e parave. Portokajtë janë një problem për qytetin dhe ne po prodhojmë vlerë të shtuar nga mbetjet.”
Ndërsa tani për tani qëllimi është përdorimi i energjisë për të përdorur impiantet e pastrimit të ujit, plani përfundimtar është që energjia e tepërt të kthehet në rrjet. Ekipi që qëndron pas këtij projekti argumenton se, duke pasur parasysh sasinë e madhe të frutave që zakonisht përfundojnë në plehra, potenciali është i madh. Ata thonë se provat kanë treguar se 1.000 kg portokajtë do të prodhojë 50kWh, e mjaftueshme për të siguruar energji elektrike në 5 shtëpi për një ditë. Dhe nëse llogarisim portokajtë e gjithë qytetit, 73.000 shtëpi mund të furnizoheshin me energji elektrike.
"Emasesa tani është një model në Spanjë për qëndrueshmërinë dhe luftën kundër ndryshimit të klimës", tha Juan Espadas Cejas, kryetari i Bashkisë së Seviljes, në një konferencë për shtyp në fillimin e projektit.
"Investimi i ri drejtohet veçanërisht në impiantet e pastrimit të ujit që konsumojnë pothuajse 40% të energjisë së nevojshme për të siguruar qytetin me ujë të pijshëm dhe kanalizime", tha ai.
"Ky projekt do të na ndihmojë të arrijmë synimet tona për uljen e emetimeve, vetë-mjaftueshmërinë e energjisë dhe ekonominë rrethore."
Portokajtë duken bukur kur janë në pemë, por pasi të bien dhe të shtypen nën rrotat e veturave, rrugët bëhen të ngjitshme me lëng dhe plotë me miza. Këshilli i qytetit punëson rreth 200 vetë për të mbledhur frutat.
Rajoni prodhon rreth 15,000 ton portokaj por spanjollët nuk i hanë ato dhe shumica e frutave nga rajoni përreth eksportohen në Britani, ku bëhet marmelatë. Portokajtë e Seviljes janë gjithashtu përbërësi kryesor i Cointreau dhe Grand Marnier./Motilokal.com


