'Mushkëria e gjelbër' e Europës është gjithnjë e më e ndjeshme, pasi ngrohja globale kërcënon më shumë se gjysmën e pyjeve të kontinentit me zjarre, erëra të forta dhe përhapjen e insekteve dhe parazitëve të dëmshëm.
Për të vlerësuar dhe përcaktuar këto dobësi, bazuar në të dhënat e 40 viteve të fundit, është një studim i kryer nga Qendra e Përbashkët e Kërkimit (JRC) e Komisionit Europian në Ispra (Varese), në bashkëpunim me Institutin Max-Planck dhe universitetet e Firences, Valencias dhe Helsinkit. Rezultatet, u botuan në revistën ”Nature Communications”, dhe ato mund të kontribuojnë në përmirësimin e strategjive të mbrojtjes së mjedisit.
"Sidoqoftë, ka hapësirë të mjaftueshme për përmirësim”, shpjegon Giovanni Forzieri, inxhinier mjedisor i JRC - sepse të dhënat tregojnë se cenueshmëria varet shumë nga parametrat strukturorë siç janë lartësia dhe mosha e pyjeve dhe shkalla e mbulimit të gjetheve.
Në Europë, pyjet mbulojnë një sipërfaqe prej mbi dy milion kilometra katrorë, e barabartë me 33% të sipërfaqes së kontinentit.
Në pamundësi për të reaguar ndaj ndryshimeve më të papritura, për shkak të ngadalësisë që karakterizon rritjen e pemëve, pyjet tani janë më shumë se kurrë të prekur nga ngrohja globale, e cila amplifikon kërcënimet natyrore që kanë qenë gjithmonë të pranishme si zjarret, erërat e forta të afta për të shkulur bimët dhe përhapja e insekteve dhe parazitëve të rrezikshëm.
Studiuesit janë përpjekur të rindërtojnë evolucionin e këtyre dobësive gjatë 40 viteve të fundit: ata e kanë bërë këtë falë sistemeve të të mësuarit makinerik, me të cilin ata kanë integruar të dhëna satelitore me ato që kanë të bëjnë me klimën dhe faktorët shqetësues që kanë ndikuar në pyjet në Europë.
Rezultatet tregojnë se të paktën 60% e biomasës pyjore Europiane (mbi 33 miliardë ton) është në rrezik.
Ndjeshmëria ndaj erërave të forta është më e theksuar në Norvegji, pjesa veriore e Ishujve Britanikë, Portugalia dhe Europa Jugore, veçanërisht në zonat malore (Alpe, Kaukaz, Karpate) ku ndjeshmëria (d.m.th. përqindja e biomasës që mund të humbet) arrin 40%.
Zjarret janë një kërcënim veçanërisht për Suedinë, Finlandën, Rusinë Europiane, Turqinë dhe pjesën jugore të Gadishullit Iberik, por ato janë gjithnjë e më të pranishme në Itali.
Ndjeshmëria ndaj sulmeve të insekteve është rritur në përgjithësi nga viti 2000 deri më sot, madje edhe me 2% në dekadë në pyjet veriore (në disa zona të Skandinavisë dhe Rusisë) ku temperaturat rriten më shpejt./Motilokal.com
