OKB jep alarmin: Ndryshimet klimatike do të prekin edhe Shqipërinë

OKB jep alarmin: Ndryshimet klimatike do të prekin edhe Shqipërinë

Kombet e Bashkuara kanë dhënë alarmin për ndryshimet klimatike që po ndodhin në të gjithë globin, duke theksuar se 5 vitet e fundit kanë qenë më të nxehtit që janë regjistruar ndonjëherë.

Koordinatori i Përhershëm i OKB-në në Shqipëri, Brian J. Williams tha është fakt se ndryshimet klimatike do të prekin së shpejti edhe Shqipërinë, dhe pasojat do të jenë të rënda. Ai theksoi se shkencëtaret parashikojnë thatësirë dhe stuhi që do shkaktojnë përmbytje.

“Ne e dimë nga komunikimet zyrtare të Shqipërisë në konferencën për ndryshimet klimatike se shkencëtaret kanë parashikuar një mot më të nxehtë sidomos në verë, parashikimet për në Shqipëri thonë se do të reduktohen shirat, por do të ketë edhe stuhi që do të sjellin rrezikun e një probabiliteti të lartë përmbytjesh”, u shpreh Williams.

Williams shtoi se shkencëtaret parashikojnë thatësira të shpeshta që do të jenë keq për agrikulturën dhe për energjetiken. Nuk ka kohë për të humbur, ligjet dhe planet kanë nevojë për buxhet dhe staf përndryshe do të kenë impakt të vogël.

Me rastin e shënimit të ditës “Dita e OKB, Shqipëri 2019″, Williams solli në vëmendje faktin se në vitin 2016, u miratua një moratorium për prerjet që shërbeu si pikënisje e kthimit të situatës drastike të shpyllëzimit që ka ndodhur në Shqipëri ndër shekuj.

“Në fillim të vitit 2019, u përgatit një plan kombëtar pyllëzimi. Dhe pak përpara samitit të këtij viti të OKB-së për klimën, Shqipëria prodhoi strategjinë e saj të parë për ndryshimet e klimës, gjithashtu e para për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Williams.

Ndërsa ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi se “kur dy vjet më parë lansuam strategjinë tonë “Clean and Green 2020” apo për të pasur një Shqipëri shumë më të pastër në vitin 2020, shumë ishin kundër nesh, shumë ishin skeptikë shumë mendonin se gjërat që ne thoshim nuk do të realizoheshin pasi për dekada të tëra mjedisi në Shqipëri është parë si një mall pa zot”.

Ministri Klosi theksoi se Shqipëria më 1 qershor 2020 do të bëhet vendi i parë pa qese plastike në Evropë. /Motilokal.com