Associated Press: Vendi i trashëgimisë botërore në Shqipëri pa turistë

Associated Press: Vendi i trashëgimisë botërore në Shqipëri pa turistë

Të shohësh rrugët e qytetit në vitin 2019 të mbushura me turistë që shijonin bukurinë e saj ishte një ëndërr e realizuar për banorët e Gjirokastrës, një qytet në jug të Shqipërisë i njohur si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për arkitekturën e tij të periudhës Osmane.

Por kjo përfundoi me vrull kur bota u mbyll.

I quajtur "qyteti i gurit" për shkak të shtëpive të tij dykatëshe me frëngji, që datojnë nga shekulli i 17-të, Gjirokastra dhe një qytet i dytë shqiptar, Berati, u regjistruan si një vend i trashëgimisë së UNESCO-s në vitin 2005, të cilësuar si "shembuj të rrallë të një karakteri arkitektonik tipik të periudhës Osmane”.

Pas rinovimit të qendrës së qytetit, Hysen Kodra, ishte në mesin e banorëve të zonës që kthyen shtëpitë e tyre 200-300-vjeçare me fasada prej druri dhe çati me pllaka guri në një strehim mysafirësh. Në fund të fundit, 700 shtretërit turistikë në qendër të qytetit mezi mund të strehonin 120 mijë vizitorët në Gjirokastër një vit para pandemisë së koronavirusit.


“Pandemia e preu papritmas, sikur me thikë”, thotë Kodra, bujtina e të cilit ka 13 dhoma në majë të një kodre, që tani është bosh. “Deri në vitin 2019 ne ishim shumë mirë, me gjithnjë e më shumë vizitorë çdo ditë. Dhe në vitin 2020 të gjitha dhomat e rezervuara u anuluan”, ka shtuar ai.

Kalaja e shekullit të XIII në majë të kodrës së qytetit dhe Pazari i Vjetër në formë radiale, i shekullit të XVII, ku turistët ecin nëpër rrugët me kalldrëm për të shijuar pjata si pasha qofte (qofte) ose fiq të thatë me qumësht delesh, ose për të parë dyqanet artizanale, perde, qilima, kostume popullore tradicionale dhe të ngjashme, që janë atraksionet kryesore në Gjirokastër.


Gjithashtu ekziston edhe një muze etnografik i vendosur në ish-shtëpinë e diktatorit të ndjerë komunist, Enver Hoxha dhe muzeu i sapo rinovuar kushtuar laureatit të letërsisë Nobel, Ismail Kadare.

Turizmi në Shqipëri, një nga vendet më të varfra të Evropës, solli rreth 9% të PBB-së në 2019-n dhe qeveria kishte shpresuar ta rrisë atë në 10% këtë vit.


Bujtina e Kodrës, e cila ka një pamje të plotë të Gjirokastrës, që ka një popullsi prej 30 mijë banorësh, është vendosur në vendin ku ishte monumenti i Hoxhës, i cili u hoq në 1991 pas rënies së regjimit komunist.

Disa vjet pas vdekjes së Hoxhës në vitin 1985, familja e Kodrës u zhvendos për të lënë hapësirë për monumentin. Pas një proteste të studentëve që përmbyti regjimin komunist në vitin 1990, familja mori pronën e saj përsëri.


Me asnjë industri tjetër në qytet, qeveria u përqendrua në rinovimin e shtëpive dhe rrugëve të saj tipike për të përgatitur turizmin.

Shtëpitë me frëngji u shndërruan në dyqane të vogla, bar kafeje ose restorante. Kishte një rritje katër herë të vizitorëve midis 2015 dhe 2019, shumica e tyre vinin nga Italia, Polonia, Franca dhe Spanja, si dhe një numër i vogël nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Australia dhe Izraeli.


Manjola Bici, e cila drejton një dyqan të vogël në Pazarin e Vjetër duke shitur çajra dhe bimë lokale, tha se ka pasur një rënie prej 60% të vizitorëve dhe shumica e atyre që vijnë ende janë shqiptarë që zakonisht nuk kalojnë natën. Pavarësisht përpjekjeve të reja për të promovuar qytetin në internet, të ardhurat kanë rënë në mënyrë drastike. Shumë dyqane qëndrojnë të mbyllura.

Bici dhe fqinjët e saj janë përpjekur të ndryshojnë shumëllojshmërinë e artikujve që shesin ose të ulin çmimet e tyre për të tërhequr konsumatorët vendas dhe i kanë bërë thirrje qeverisë të ulë taksat e biznesit për t'i ndihmuar ata. Ajo shpreson që vaksinat të ndihmojnë në ndalimin e pandemisë dhe kthimin e turistëve.


"Ju mund ta shihni vetë, jeni të vetmit turistë, klientë sot", tha ajo duke u treguar gazetarëve rrugën e zbrazët.

"Unë nuk mendoj se do të mbijetojmë për një kohë të gjatë kështu nëse qeveria nuk ul të gjitha taksat, të themi, për një vit", shton Kodra. "Ne nuk jemi të sigurt nëse do të vijnë prenotime për prill-maj."


Por Loena Bakuli e ngarkuar me projektet e turizmit në bashki është e sigurt për të ardhmen.

"Pandemia do të zhduket një ditë, së shpejti dhe turistët do të kthehen dhe të shohin një qytet tjetër, më të bukur", tha ajo./Associated Press/Motilokal.com