Shqipëria me pasaportë dixhitale vaksinimi kundër COVID-19

Shqipëria me pasaportë dixhitale vaksinimi kundër COVID-19

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përjavshme "Ekonomia në Fokus" tha se vaksinimi kundër COVID-19 mund të kthehet në kusht për udhëtimet jashtë vendit.

Kreu i qeverisë tha se qeveria shqiptare ka krijuar pasaportën e vaksinimit kundër COVID të qytetarëve për t'i paraprirë situatës nëse vendet e tjera do ta kenë si kusht.

“Sot që ne kemi hyrë në një proces shumë të komplikuar sa i përket nevojës për të garantuar transparencë dhe eficiencë në fushatën e vaksinimit, dhe ndërkohë që ne përgatitemi për të disponuar sasi të konsiderueshme vaksinash që do të kërkojnë intensitet të lartë vaksinimi, ne disponojmë një sistem që garanton tërësisht transparencë dhe eficiencë dhe kemi krijuar pasaportën dixhitale të vaksinimit duke u parapërgatitur që vaksinimi të kthehet në kusht për udhëtime jashtë vendit nga të tjerët”, tha Rama.

Mësohet se kjo pasaportë do të jetë e vlefshme për t’u shkarkuar vetëm pas kryerjes së dy dozave të vaksinimit duke pasur parasysh që vaksina Pfizer kërkon injektimin e dy dozave.

Në pasaportë do të jenë të shënuara përveç kredencialeve edhe ditët kur i vaksinuari ka marrë injeksionet. Ky shërbim është gati dhe mund të gjendet lehtë në aplikacionin e-Albania. Pasaporta online do të merret menjëherë dhe nuk është e nevojshme të pritet. Po ashtu nuk do të ketë asnjë kosto për qytetarët.

Ai shtoi më tej se falë dixhitalizimit janë shkurtuar 472 vjet kohë nëpër radhë.

“95% e shërbimeve janë online për qytetarët shqiptarë”, tha ai më tej.

Kreu i qeverisë deklaroi edhe dëftesat e nxënësve do të ofrohen online me vulë elektronike.

"Sot, edhe pse ka ende shumë për të bërë, shërbimet shtetërore për ata që janë jashtë mundësojnë që 38 shërbime që deri dje duhej prania fizike në konsullatë janë online. Sot shtetasit e huaj që duan të jetojnë apo punojnë në Shqipëri e marrin vizën përmes një procesi që bëhet i gjithi online", përfundoi ai./Motilokal.com