Një nga rezultatet e pakta pozitive të pandemisë COVID-19 ishte që ndaloi transportin dhe veprimtarinë e fabrikave, të paktën për një periudhë kohe nëpër botë, ishte ajri i pastër. Pamjet që krahasojnë ndotjen e ajrit para dhe gjatë pandemisë kanë marrë vëmendjen për një kohë, duke treguar përmirësimet edhe në vendet më të ndotura në botë.
Sidoqoftë, pavarësisht zhvillimeve, emetimet globale të CO2 janë kthyer në nivelet para-pandemike ndërsa ekonomitë botërore kalojnë procesin e rihapjes, duke kërcënuar të vendosin objektivat e traktatit klimatik për mbulimin e ngrohjes globale jashtë mundësive, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).
Sipas IEA, emetimet e karbonit në muajin dhjetor të vitit 2020 ishin për dy përqind më të larta se sa emetimet e të njëjtës periudhë të vitit paraprak.
"Rrikthimi i emetimeve të karbonit filloi disa muaj pasi pandemia shkaktoi rënien më të madhe të tyre, që nga përfundimi i luftës së dytë botërore", tha drejtori ekzekutiv i IEA-së Fatih Birol në një deklaratë.
Sipas trendit aktual të emetimeve, viti 2019 që së fundmi konsiderohej si viti i fundit me më së shumti emetime karboni, duket se nuk do të jetë i fundit.
Andaj, Birol nga IEA tha se futja e energjisë së pastër në politikat e qeverive të vendeve të ndryshme duhet bërë sa më shpejtë që të jetë e mundur.
‘Nëse në muajt e ardhshëm qeveritë nuk e fusin energjinë e pastër në politikat e tyre, atëherë ne jemi përsëri në rrugë për të kthyer veprimtaritë që lirojnë shumë karbon, siç edhe ishte më herët. Është në kundërshtim me zotimet dhe angazhimet ambicioze të bëra një pas një nga qeveri të ndryshme’, u shpreh Birol.
Në Kinë, ndotja e karbonit vitin e kaluar tejkaloi nivelet e vitit 2019 me më shumë se 7 për qind pavarësisht bllokimit për të ndaluar përhapjen e virusit.
Kina e cila përbën më shumë se një të katërtën e prodhimit global të CO2 - ishte ekonomia e vetme kryesore që u rrit në vitin 2020.
Sipas IEA-së, Bashkimi Evropian po ashtu kishte arritur pikën më të ulët të emetimeve prillin që lëmë pas. Sipas të dhënave në prill të 2020 nivelet e emetimeve ishin për 22 për qind më të ulëta se të njëjtën periudhë të vitit 2019.
IEA ka thënë se në BE, nivelet e emetimeve qëndruan për 5 për qind nën nivelet e emetimeve të vitit paraprak deri në muajin dhjetor, e kjo falë kufizimeve për shkak të krizës pandemike.
Fatih Birol, drejtori ekzekutiv në IEA thotë se nuk është vonë për qeveritë të parandalojnë rritjen e niveleve të emetimeve.
“Qeveritë e të gjitha shteteve, e në veçanti ekonomitë e mëdha si SHBA, Kina, India, Evropa dhe Japonia, duhet sa më shpejtë të fusin politika për energji të pastër në pakot e tyre të rimëkëmbjes ekonomike”, ka deklaruar Birol.
Emetimet globale ranë me pothuajse dy miliardë tonë në vitin 2020, rënia më e madhe absolute në histori.
Më shumë se gjysma e asaj rënieje ishte për shkak të përdorimit më të ulët të karburantit për transportin rrugor dhe aviacionin.
Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 i urdhëron kombet të kapin ngritjen e temperaturave globale "shumë më poshtë" se 2 gradë Celsius krahasuar me nivelet para-industriale dhe të përpiqen për 1.5 gradë Celsius nëse është e mundur.
Sipërfaqja e Tokës është tashmë 1.1 gradë Celsius më e ngrohtë mesatarisht, e mjaftueshme për të rritur frekuencën dhe intensitetin e valëve të nxehtësisë vdekjeprurëse, thatësirave dhe stuhive shkatërruese nga ngritja e deteve.
Në maj, IEA do të publikojë hartën e saj të parë globale rrugore se si sektori i energjisë mund të arrijë zero deri në vitin 2050./Motilokal.com


