Australia po përjeton atë që konsiderohet përmbytja që vjen një herë në shekull. Shumë zona të Sidneit janë urdhëruar të evakuohen për shkak të rrezikut të madh që vjen si pasojë e sasive të mëdha të shirave.
Në Sidnei, qytetin më të madh të vendit, autoritetet u kanë kërkuar njerëzve të qëndrojnë në shtëpi pasi një digë e madhe është mbingarkuar dhe një minitornado u regjistrua në pjesën perëndimore të qytetit.
Pjesa më e madhe e brigjeve në shtetin e New South Wales, që mban një të tretën e 25 milionë banorëve të Australisë, ka parë reshje rekord shiu gjatë marsit dhe autoritetet kanë paralajmëruar se mot i ngjashëm do të vazhdojë edhe për disa ditë.
Dhjetëra persona janë shpëtuar nga vërshimet e ujit në New South Wales, ndërsa rrugët kryesore mbesin të mbyllura në këtë zonë.
Shkollat janë mbyllur në disa pjesë të Australisë dhe banorëve u është kërkuar që të punojnë nga shtëpia nëse është e mundur.
Qeveria ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e përmbytura, ndërsa meteorologët nuk parashikojnë një përmirësim të motit deri në fund të javës së ardhshme./Motilokal.com










