A do t’ju duhet një 'pasaportë vaksine' për të udhëtuar?

A do t’ju duhet një 'pasaportë vaksine' për të udhëtuar?

Kompanitë ajrore dhe industritë e tjera të udhëtimeve po mbështesin idenë e të ashtuquajturve pasaporta të vaksinës, me qëllim për të rritur numrin e udhëtimeve në pandemi dhe autoritetet në Evropë mund ta përqafojnë idenë e përdorimit të këtyre pasaportave para sezonin të pushimeve të verës.

Kompanitë e teknologjisë dhe grupet tregtare të lidhura me udhëtimet po zhvillojnë dhe testojnë versione të ndryshme të pasaportave të vaksinës, të quajtura gjithashtu certifikata shëndetësore ose leje udhëtimi.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse ndonjë nga pasaportat në zhvillim do të pranohet gjerësisht në të gjithë botën, dhe rezultati i gjithë kësaj mund të jetë më shumë konfuzion në mesin e udhëtarëve dhe zhgënjim për industrinë e udhëtimeve.

Më poshtë janë disa pyetje kryesore në lidhje me pasaportat e vaksinës.

'Ne nuk po e bëjmë': Pasaportat e vaksinave nuk do të kërkohen në Florida, thotë DeSantis

Çfarë është pasaporta e vaksinës?

Pasaporta e vaksinës është një dokument që dëshmon se udhëtari që e posedon atë është vaksinuar kundër sëmundjes COVID-19 apo së fundmi ka dalë negativ në testin për koronavirus.

Ky informacion ruhet në një telefon ose pajisje tjetër celular që përdoruesi u tregon punonjësve të linjës ajrore apo zyrtarëve kufitar. Administrata e Biden dhe të tjerët duan gjithashtu një version në letër të kësaj pasaporte.

Kush i dizajnon këto pasaporta?

Grupi tregtar për linjat botërore, Asociacioni Ndërkombëtar për Transport Ajror, po teston një version, që quhet “leje udhëtimi”. Kompania e teknologjisë IBM po zhvillon një version tjetër të pasaportës që po quhet “Leja digjitale shëndetësore”. Po ashtu, ka disa iniciativa të sektorit privat.

Disa shtete janë duke u përfshirë dhe po përdorin pasaportat jo vetëm për udhëtimet me avion. Izraeli po përdor të ashtuquajturat “pasaporta të gjelbra” për t’u siguruar që vetëm njerëzit që janë vaksinuar ose janë shëruar nga COVID-19 mund të marrin pjesë në ngjarje publike, të tilla si koncertet. Danimarka, ndërkaq pret që të lansojë një leje që do të lejojë njerëzit e vaksinuar që të udhëtojnë, por me disa kufizime.

Pse kompanitë e udhëtimit i kërkojnë pasaportat e vaksinës? 

Udhëtimet ndërkombëtare ajrore kolapsuan gjatë pandemisë, teksa shtetet kanë vendosur kufizime të tilla si karantina apo ndalime të tjera me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të virusit. Kompanitë ajrore po shpresojnë në përdorimin e “pasaportave të vaksinës” me qëllim që të bindin qeveritë që të lehtësojnë disa nga kufizimet që po dekurajojnë vizitorët.

“Rëndësia e kësaj në rinisjen e aviacionit ndërkombëtar nuk mund të mbivlerësohet”, thotë Alexandre de Junica, kryetari i Asociacionit Ndërkombëtar për Transport Ajror.

Operatorët e hoteleve, që varen nga vizitorët ndërkombëtarë, po ashtu mezi po presin që këto leje për udhëtime të miratohen.

Asociacioni Ndërkombëtar për Transport Ajror ka testuar më herët gjatë javës një aplikacion për vaksinat, në një fluturim nga Singapori për në Londrën. Një pasagjer futi të dhënat e tij në këtë version digjital të pasaportës, testin për koronavirus dhe kufizimet e udhëtimit në destiacionin e tij. Dhe të gjitha këto të dhëna i futi në këtë aplikacion përmes telefonit të tij.

Ku do të kërkohen këto pasaporta? 

Pasaportat e vaksinave do të jenë më të zakonshmet në fluturimet ndërkombëtare. Disa vende tashmë kërkojnë dëshimi të vaksinimit për sëmundje të tilla si “ethet e verdha” dhe Shtetet e Bashkuara tani kërkojnë një test negativ për COVID-19 për të hyrë në vend, kështu që një pasaportë dixhitale e shëndetit nuk është diçka e re.

Cilat janë rreziqet?

Vaksinat e disponueshme janë më efektive në parandalimin e sëmundjeve të rënda, por kjo nuk përjashton mundësinë që udhëtarët e vaksinuar të mund të përhapin akoma virusin.

"Unë mendoj se kemi prova të mjaftueshme tani për të thënë që këto vaksina ndërpresin përhapjen (e COVID-19), se njerëzit e vaksinuar kanë më pak gjasa që ta përhapin sëmundjen”, thotë Ashish Jha, rektor në shkollën e shëndetit publik në Universitetin Brown. "Sa janë gjasat? Këtë nuk e dimë”. Ai mendon se është rreth 80%.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve – institucioni kryesor shëndetësor në SHBA – ende rekomandon kundër çdo udhëtimi edhe pasi ky institucion ka lehtësuar disa prej masave për personat që tashmë janë vaksinuar.

Po drejtësia?

Kritikët thonë se nga këto certifikata do të përfitojnë para së gjithash njerëzit e shteteve të pasura dhe njerëzit me ndikim në çdo shtet tjerë – ata që kanë më së shumti gjasa që të vaksinohen më së shpejti dhe që kanë telefona të mençur.

“Do të jenë të pasurit, të privilegjuarit ata që do të mund të udhëtojnë dhe njerëzit e tjerë nuk do të kenë qasje në udhëtime me avionë”, thotë Lisa Eckenwiler, e cila ligjëron etikën shëndetësore në Universitetin George mason. Ajo thotë se pabarazitë mund të zgjerohen nëse këto certifikata shëndetësore do të përdoren edhe në vendet e punës dhe në shkolla.

Po privatësia?

Konsumatorët mund të ndihen në siklet që të ndajnë informacionet mbi shëndetin e tyre, informacione këto të cilat edhe mund të hakohen, thotë Stephen Beck, menaxher në kompaninë konsulente, cg42.

“Kur vjen puna te kjo çështje, njerëzit do ta pyesin veten nëse ja vlen që të ndajnë informacione të ndjeshme të tyre në këmbim të një udhëtimi”, duke shtuar se “për shumë njerëz përgjigja në këtë pyetje do të jetë jo”.

Asociacioni Ndërkombëtar për Transport Ajror dhe kompania IBM thonë se “pasaportat” që ata kanë krijuar përdorin një teknologji, e cila mundëson që informacionet e përdoruesit të mos ruhen në një vend.

Çfarë roli do të luajë qeveria amerikane?

Linjat ajrore dhe grupet e biznesit po lobojnë në Shtëpinë e Bardhë për të marrë drejtimin në vendosjen e standardeve për kartat e shëndetit. Ata besojnë se kjo do të shmangte konfuzion që mund të shkaktohej në mesin e udhëtarëve nëse shumë shtete miratojë pasaporta të tilla, andaj ata besojnë se duhet të bëhet vetëm një certifikatë që do të njihej përbotshëm.

Por administrata e Biden thotë se i takon sektorit privat dhe organizatave jofitimprurëse të kuptojnë se si amerikanët mund të demonstrojnë se janë vaksinuar ose testuar.

"Nuk është roli i qeverisë për t'i mbajtur ato të dhëna dhe për t'i bërë ato", tha Andi Slavitt, një këshilltar në Shtëpinë e Bardhë për përgjigjen ndaj pandemisë. "Ai theksoi se se të dhënat që japin qytetarët për këto certifikata duhet të jenë të sigurta dhe qasja në këto do të duhej të ishte falas dhe dokumente të tilla do të duhej të ishin edhe në letër dhe në formë digjitale si dhe “në shumë gjuhë”.

Për dallim nga SHBA-ja, shtetet e tjera, si Izraeli dhe Danimarka kanë rol më aktiv në këtë drejtim.

Burimi: WFLA News Channel 8

Përshtati: Motilokal.com