Rekord i ri botëror është vendosur në instalimet e reja të energjisë së erës në vitin 2020 me 93 gigavat (GW) shtesë të turbinave të reja të erës, rreth 50 për qind më shumë se një vit më parë, thuhet në raportin e Shoqatës Botërore të Energjisë së Erës (WWEA), transmeton AA.
Në raport thuhet se kapaciteti total i të gjitha fermave të erës në të gjithë botën tani ka arritur 744 GW, e cila është e mjaftueshme për të gjeneruar 7 për qind të kërkesës në botë për energji elektrike.
Sipas raportit të Shoqatës Botërore të Energjisë së Erës rritja e lartë vjen si befasi për disa vëzhgues pasi shumë vende raportuan vonesa gjatë vitit të kaluar për shkak të ndërprerjes së zinxhirit ndërkombëtar të furnizimit dhe mungesës së fuqisë punëtore në dispozicion.
"Ky zhvillim i fuqishëm u arrit megjithë pandemisë. Ndërsa COVID-19 duket se po ngadalëson zhvillimet në disa vende, ai përgjithësisht nuk ka pasur ndonjë ndikim negativ, por më tepër dukej se përshpejtonte kalimin në energji të erës dhe energji të tjera të rinovueshme", thuhet në raport.
Më tej në raport theksohet se Kina ndërtoi rreth 52 GW brenda një viti, e cila korrespondon me një pjesë të tregut prej 56 për qind.
"Me këtë shtesë, Kina tani ka instaluar kapacitetin e erës prej 289 gigavat, 39 për qind të kapacitetit global", sipas raportit.
Ndërsa SHBA-ja, e cila ka mbajtur pozicionin e saj si e dyta në botë, gjithashtu shënoi rritje të jashtëzakonshme me gati 17 GW dhe arriti në 122 GW në vitin 2020.
Duke komentuar rezultatet, Sekretari i Përgjithshëm i WWEA-së, Stefan Gsanger tha se janë shumë të inkurajuar nga rritja e fuqishme në sektorin e energjisë së erës në vitin 2020.
"Duke qenë se shumë qeveri po bëhen më të përkushtuara ndaj burimeve të ripërtëritshme të energjisë pa gaz serrë, ne jemi shumë të sigurt se një rritje e tillë do të ndodh në të ardhmen dhe do të bëhet edhe më e fuqishme", theksohet në raport.
Me rritjet e përpjekjeve, thuhet se ekziston një mundësi që bota të marrë rrugën e duhur për të përmbushur qëllimet e Marrëveshjes së Parisit dhe të kufizojë ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius./AA/Motilokal.com