Sot shënohet Ora e Tokës, fiken dritat për një orë

Sot shënohet Ora e Tokës, fiken dritat për një orë

Sot shënohet Ora e Tokës, një eveniment që kremtohet në mbarë botën. Ora e Tokës, që është një organizim i Fondit Botëror për Natyrën (WWF), fton të gjithë njerëzit që sonte në mbrëmje në 20:30 me orën lokale secili të fikë dritat dhe pajisjet elektrike.

Ora e Tokës pati pikënisjen e saj në vitin 2007 në Sidnej të Australisë. Atë kohë, dritat u fikën në 2.2 milionë shtëpi dhe biznese për një orë me qëllimin për të pasur vëmendjen globale ndaj çështjeve alarmante të mjedisit.

Dritat do të fiken edhe në ndërtesat apo monumentet më të famshme në botë.

"Flisni për natyrën" është motoja e fushatës së këtij viti në Orën e Tokës. Përveç aktivitetit të fushatës për fikjen e dritave në ndërtesat publike dhe fikjen e dritave në banesat private për 60 minuta, kësaj here, Fondi Botëror për Natyrën (WWF) fton publikun të bashkohet në ngjarjen e madhe që do të mbahet gjatë Orës së Tokës.

WWF ADRIA do të lansoj një Video muzikore kërcimore të Lejla Hot, në bashkëpunim me shumë artist dhe këngëtar të tjerë, me idenë që të mësoj të gjithë ata që ndjekin eventin me hapat e kërcimit gjersa janë fikur dritat.

 “Efektet e ndryshimit të klimës kanë qenë gjithnjë e më të dukshme edhe në vendin tonë. Për të dytin vit radhazi, së bashku me pjesën tjetër të njerëzimit, ne po përkujtojmë Orën e Tokës plotësisht në internet, në mes të pandemisë COVID-19. Këto janë kujtesa të qarta se ndryshimi i klimës nuk po i ndodh dikujt tjetër, diku tjetër, në një të ardhme të largët, por tek ne, pikërisht këtu dhe tani”, thotë Nataša Kalauz, CEO i WWF ADRIA.

Ngjarjet ekstreme të motit, temperaturat e ngrohta, ndotja e lumenjve, rritja e rrezikut nga zjarri, shfaqja e sëmundjeve të reja infektive - janë vetëm disa nga ndryshimet që na kanë goditur.

Pavarësisht kohës së vështirë, vitin që lëmë pas, dritat ishin fikur për një orë apo më shumë në 190 vende të botës, gjersa njerëzit postuan 4.7 miliardë mesazhe në rrjete sociale, andaj bëhet thirrje për të gjithë pjesmarrësit që të mos hezitojnë të ndajnë veprën e tyre të mirë me të tjerët.

Ora e Tokës do të mbahet për herë të dytë në formë virtuale dhe do të shfaqet në platformën e komunikimit Zoom.

Kështu, Organizata ka bërë thirrje për të gjithë pjesëmarrësit për të rritur ndërgjegjësimin dhe vëmendjen duke shpërndarë eventin dhe kërcimin e tyre, veçanërisht përmes rrjeteve sociale.

Që nga 2007, momenti i fikjes së dritave ka parë që rrugë të tëra, ndërtesa, dhe objekte të rëndësishme të qyteteve dhe jo vetëm të bëhen të errëta për të tërhequr vëmendjen e publikut për humbjet natyrore dhe krizën klimatike.

Biznese të shumta, shkolla dhe institucione të tjera përsëri janë zotuar që të mos përdorin fare energji elektrike për një apo disa orë në të shtunën e fundit të marsit. Ndërsa të tjerë pritet edhe që të organizojnë punëtori dhe evente të tjera për të shënuar Orën e Tokës 2021./Motilokal.com