
Më në fund pas pritjeve të gjata dhe i vetmi vend në Ballkan që nuk është furnizuar me vaksina kundër COVID-19, Kosova sonte i pret këto vaksina.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të marrin pjesë sot, në ceremoninë e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave kundër COVID 19.
Ky kontingjent është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.
Ceremonia e pranimit të vaksinave pritet të fillojë rreth orës 20:15, në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Është njoftuar se në ceremoni do të flasë, kryeministri, ministri i Shëndetësisë, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së, ambasadorët e QUINT-it, përfaqësuesi i UNKT-së.
Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka nisur ende vaksinimin e popullsisë kundër koronavirusit.
Kujtojmë se javë më parë, qeveria shqiptare ofroi 500 doza të AstraZeneca-s, për mjekët dhe stafin mjekësor të Kosovës dhe ky proces po vazhdon ende në Pallatin e Kulturës, në Kukës.
Vaksinimi bëhet në Kukës për shkak se kompanitë që prodhojnë vaksinën nuk lejojnë që ajo të nxirret jashtë vendit të kontraktuar./Motilokal.com