Gjendet një lloj i ri insekti në Lumëbardhin e Deçanit

Gjendet një lloj i ri insekti në Lumëbardhin e Deçanit

Në kuadër të hulumtimeve të kryera nga Prof. Halil Ibrahimi nga Departamenti i Biologjisë së Universitetit të Prishtinës, është gjetur një lloj i ri insekti për shkencën në Lumëbardhi i Deçanit në Bjeshkët e Nemuna.

Ky insekt është zbuluar gjatë pandemisë, ku edhe është emërtuar me koronavirus

Njoftimi i plotë nga Prof. Halil Ibrahimi:

Sot është publikuar lloji im më i ri i insekteve i zbuluar nga Lumëbardhi i Deçanit në Bjeshkët e Nemuna.

Edhe pse i zënë para disa vitesh, është përshkruar tek gjatë vitit të kaluar dhe sivjet, kryesisht gjatë kohës së izolimit për shkak të pandemisë. Nga këtu vjen edhe emri i llojit, Potamophylax coronavirus, si përkujtim i kohës kur është zbuluar. Simbolikisht, emri i llojit, potencon edhe një pandemi tjetër, që është duke ndodhur në lumenjtë e Kosovës, e në veçanti në Lumëbardhin e Deçanit,si rezultat i ndotjes, degradimit dhe keqmenaxhimit të hidrocentraleve. Në kuadër të punimit janë bërë edhe analizat molekulare të krejt grupit ku bën pjesë ky lloj, krahas atyre morfologjike. Prania e këtij lloji tregon për pasurinë e madhe të biodiversitetit në Kosovë, i cili fatkeqësisht është duke u rrezikuar ndjeshëm.

Punimi është rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm i grupit të Zoologjisë të Departamentit të Biologjisë. Punimi është publikuar në revistën prestigjioze Biodiversity Data Journal, që boton lloje të reja për shkencën./Motilokal.com