Nepali përfshihet nga zjarret më të rënda në një dekadë

Nepali përfshihet nga zjarret më të rënda në një dekadë

Nepali po përjeton sezonin e tij më të keq të zjarreve në pothuajse një dekadë. Zjarre të frikshme kanë përfshirë pyjet duke e mbuluar vendin në Himalaje me një re gjigante tymi.

Cilësia e ajrit në kryeqytetin Katmandu, u klasifikua të martën si më e keqja në botë me disa fluturime ndërkombëtare të vonuara për shkak të tymit që mbuloi qytetin.

"Numri më i lartë i zjarreve është raportuar këtë sezon që kur të dhënat për incidente të tilla u mbajtën nëntë vjet më parë", tha për AFP zëdhënësi i Autoritetit Kombëtar të Reduktimit të Rrezikut nga Katastrofa dhe Administrimit të Nepalit, Uddav Prasad Rijal.

Zjarrfikësit po punonin për të vënë flakët nën kontroll, thanë zyrtarët.

Më shumë se 2,700 vatra zjarri janë raportuar në Nepal që nga nëntori, 14 herë më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rijal tha se sezoni i dimrit midis nëntorit dhe shkurtit ishte më i thatë se zakonisht, çka edhe ka shtuar rrezikun e zjarreve.

Sezoni i zjarreve nis në nëntor dhe zgjat deri në fillimin e atij të musoneve, në qershor.

Fermerët, po ashtu, kanë djegur pjesë pyjesh për të lejuar që të rritet bari për të ushqyer bagëtitë e tyre.

Eksperti i klimës Madhukar Upadhya tha se ishte "e pashmangshme" që do të kishte më shumë zjarre pasi dimrat e Nepalit bëhen më të thatë si rezultat i ndryshimit të klimës.

Javën e kaluar, shkollat u mbyllën për katër ditë pasi cilësia e ajrit arriti nivele të rrezikshme./Motilokal.com