Moti i keq/ Përmbyten disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë

Moti i keq/ Përmbyten disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë

Reshje e mëdha të shiut po vazhdojnë ende në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas një njoftimi të Autoritetit Rrugor të Shqipërisë (ARRSH) reshjet e shiut kanë përfshirë të gjithë vendin, por nuk kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve.

ARRSH apelon shoferët të kenë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë së rrugëve.

Ndërsa nga moti i keq që ka përfshirë jugun me stuhi dhe erëra të forta ka bërë që trageti i linjës Brindisi-Vlorë të mos niset nga bregu i Italisë.

Sipas kapitenerisë së portit të Vlorës, deti ka qenë me fuqi deri në 8 ballë në det të hapur. Por situata më e përkeqësuar është në Brindisi ku era të fuqishme e bëjnë të pa mundur lëvizjen në det të mjeteve detare.

Nga shirat e shumtë është përmbytur edhe qyteti i Durrësit, duke shkaktuar edhe bllokimin e trafikut. Raportohet se edhe rrugët e qytetit të Sarandës janë mbuluar nga uji, si pasojë e reshjeve të shiut që kanë rënë që nga nata e mbrëmshme pa ndërprerë.

Reshje të dendura të shiut dhe stuhitë kanë përfshirë edhe territorin e qarkut të Elbasanit. Për pasojë mbeten rrezik potencial disa akse rrugore si ai Elbasan-Qafëthanë për shkak të terrenit të thyer malor ku në mot të tillë bien vazhdimisht gurë dhe inerte në rrugë.  /Motilokal.com