Automjetet autonome pritet të lejohen në rrugët e Britanisë së Madhe deri në fund të këtij viti, ka njoftuar qeveria.
Në njoftim Departamenti për Transport ka bërë të ditur se sistemet e automatizuara ALKS do të jenë lloji i parë i drejtimit të automjeteve autonome.
Siç bëhet e ditur teknologjia kontrollon pozicionin dhe shpejtësinë e një veture në një korsi të vetme, por vetëm deri në shpejtësinë prej 37 km / orë.
Më parë qeveria britanike kishte thënë se ky ligj i ri do të futej në fuqi deri në pranverën e këtij viti. Qeveria konfirmoi se shoferëve nuk do t’u kërkohet të monitorojnë rrugën ose t’i mbajnë duart në timon por duhet të jenë vigjilent për të marrë përsipër kontrollin kur kërkohet nga sistemi brenda 10 sekondash.
Autoritetet britanike thanë se nëse një shofer nuk reagon në kohën e duhur, automjeti automatikisht do të ndezë dritat e rrezikut për të paralajmëruar automjetet afër, të ngadalësojë dhe në fund të ndalet.
“Ky është një hap i madh për përdorimin e sigurt të automjeteve autonome në Britaninë e Madhe, duke i bërë udhëtimet më të besueshme”, theksohet në njoftim./Motilokal.com


