Aeroplani gjigant i kompanisë “Stratolaunch” kreu me sukses fluturimin e tij të dytë testues, duke u ngritur mbi shkretëtirën në jug të Kalifornisë.
Aeroplani me dy kabina dhe 6 motorë është 1,5 herë më i madh se sa një Airbus 380, ose sa një fushë futbolli, 117 metra.
Aeroplani u ngrit për herë të parë në fluturim dy vite më parë, ndërsa të enjten kreu testimin e tij të dytë. Ai arriti një lartësi prej 4200 metrash, ndërsa fluturoi për më shumë se 3 orë dhe më pas aterroi në Aeroportin Mojave dhe Stacionin Hapësinor. Gjatësia e fluturimit është më e gjatë se fluturimi i parë i kryer në 2019. Gjatë uljes, njëra palë preku pistën para tjetrës.
“Fluturimi ishte jashtëzakonisht i suksesshëm. Ne arritëm gjithçka që donim, nuk kishte anomali dhe ne jemi shumë të kënaqur me gjendjen e avionit pas uljes”, tha zyrtari i Stratolaunch Zachary Krever.
“Ne donim të kontrollonim presionin e kabinës dhe të provonim sistemet e sigurisë dhe pajisjet e reja” shtoi ai.
Aeroplani është projektuar për të bartur aeroplanin autonom hipersonik të Stratolaunch-it Talon-A në formën e një avioni me raketë të gjatë 8.53 metra të gjatë dhe 4.26 metra të gjerë. Kjo anije kozmike do të përdoret për prova hipersonike që Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së synon të kryejë.
Talon-A do të aktivizojë motorin e tij të lëngshëm të raketave dhe do të fluturojë lart në atmosferën e Tokës. Do të jetë një fluturim hipersonik që do të zgjasë 60 sekonda dhe më pas anija do të ulet në pistë më vete.
Aeroplani Talon-A nuk u përdor gjatë fluturimit të dytë provë.
Projekti është financuar nga Paul Allen, bashkëthemeluesi i Microsoft, i cili vdiq para se të kryej testi i parë në prill të vitit 2019. Kur kompania Stratolaunch u themelua në vitin 2011, projekti u vlerësua të kushtonte 300 milionë dollarë, por sipas CNBC, në vitin 2019 ai arriti në 400 milionë dollarë. Allen synonte ta përdorte këtë avion për lëshimet në hapësirë të satelitëve.
Gjatë fluturimit të dytë testues avioni arriti një shpejtësi maksimale 320 kilometra në orë./Motilokal.com





