Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron vërshime në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron vërshime në Kosovë

Sektori i Hidrologjisë i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) ka njoftuar për mundësinë e vërshimeve për shkak të reshurave të mëdha që do përfshijnë vendin në ditët në vijim.

Në njoftim thuhet se reshjet e shiut të filluara nga data 05.11.2019, fillimisht në pjesën perëndimore, gjatë orëve të pasdites kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit por me intensitet më të ulët.

“Duke filluar nga dita e sotme, fillimisht në pjesën perëndimore të Kosovës (zona e Alpeve Shqiptare kanë vazhduar reshje të shiut me intensitet të ulët deri mesatare, të cilat gjatë ditës do të përfshinë edhe pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit. Ndërsa duke filluar nga datë 07.11.2019, reshjet e shiut do të përfshinë pjesën më të madhe të Kosovës, e me intensitet më të lartë në rajonin e Dukagjinit”, bëhet e ditur në njoftimin e IHMK-së.

Po ashtu në komunikatën e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës theksohet se mund të paraqiten vërshime të shpejta nga disa lumenj/rrëke, kryesisht me karakter malorë. Ndërsa përmbytje fushore nga lumenjtë mund të ketë në disa segmente të tyre, gjatë orëve dhe ditëve ne vijim.

Sipas IHMK-së kjo situatë mundë të paraqes vështirësi në qarkullimin rrugore, me mundësi rrëshqitje të dheut si dhe vërshime urbane në disa zona.

“Reshjet e shiut pritet të ndërpriten gjatë orëve të pasdites të datës 08.11.2019”, thuhet në njoftim. /Motilokal.com