Autoritetet kineze kanë bërë me dije se dyshimet kryesore janë që mbetjet e raketës së ndërtuar në mënyrë autoktone që bartën në orbitë modulin kryesor të stacionit të saj hapësinor mund të bien në Tokë.
Mediat e huaja bëjnë me dije se administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës ka thënë se mbeturinat e raketës Long March-5B Y2 mund të hyjnë përsëri në atmosferën e Tokës diku gjatë kësaj fundjave. Ndër të tjera bëhet me dije se raketa duhej të digjej gjatë rihyrjes, kurse disa ekspertë kinezë paralajmëruan se pjesët mund të bien në Paqësor.
Raketa u lansua më 29 prill në hapësirën duke mbajtur modulin kryesor, Tianhe, të stacionit hapësinor të ardhshëm të Kinës në formë të shkronjës T.
"Një vëzhgim i mundshëm amator në tokë i bërthamës së raketës që jep sinjal të rregullt sugjeron se ajo po bie dhe kështu nuk është nën kontroll", thuhet në faqen e internetit të Space News më 30 prill, duke shtuar se "ngadalë dhe në mënyrë të paparashikueshme" po bie përsëri në Tokë.
Tianhe ishte ndarë nga faza kryesore e lansuesit pas 492 sekondave të fluturimit, duke hyrë direkt në orbitën e saj të planifikuar fillestare.
Ndërkohë, Kina të premten lansoi me sukses në orbitë një grup tjetër satelitësh. Satelitët u lançuan nga Qendra e Laçimit Satelitor Xichang në provincën Sichuan të Kinës jugperëndimore.
Satelitët që i përkasin familjes Yaogan-30, u lansuan me raketën transportuese Long March-2C.
Sapo satelitët të përshtaten në orbitë, ato do të përdoren për matjen në distancë, e cila përfshin zbulimin mjedisor elektromagnetik dhe testimin teknologjik që lidhet me të.
Tianqi-12, një nga satelitët, do të përdoret për mbledhjen dhe transmetimin e të dhënave.
Ky ishte misioni i 369-të i serive të raketave Long March./Motilokal.com


