15 Maj - Dita Ndërkombëtare e Ndryshimit të Klimës

15 Maj - Dita Ndërkombëtare e Ndryshimit të Klimës

Ndryshimet klimatike janë një nga sfidat më të mëdha me të cilat po ballafaqohet njerëzimi. 15 Maji është Dita Ndërkombëtare e Ndryshimit të Klimës, ditë kjo kur publiku përqendrohet në pasojat e mëdha që po vijnë si rezultat i aktiviteteve të pakontrolluara njerëzorë.

Natyra me asetet e saj të rëndësishme po pëson dëmtime të pakthyeshme nga aktiviteti i faktorit njeri. Prania e ndotësve të ajrit, të ujit e të tokës gjithnjë e më shumë janë në rritje e në anën tjetër pak po bëhet në ndalimin e këtij shkatërrimi. Një listë e gjerë e specieve bimore dhe shtazore janë në prag të zhdukjes, dhe shumë habitate janë në prag të transformimit të tyre në zona të padobishme, si shkak i përmbytjeve, thatësisë, kontaminimit, përhapjes së parazitëve apo sëmundjeve pandemike. Një zinxhir i tërë është pranë shkëputjes, e kjo do të shkaktoj dëme të pandalshme, nëse nuk ndërmerren hapa të mëdhenj nga shoqëria njerëzore.

Ndotja më e madhe sot vjen nga burimet antropogjene (njerëzore). Ndotja e ajrit karakterizohet nga ndryshimi i nivelit të cilësisë së pastërtisë së ajrit. E kjo papastërti vjen si rezultat i kombinimit të grimcave dhe gazeve, dhe pranisë së lartë të dioksidit të karbonit, monoksidit të karbonit, dioksidit të sulfurit, oksidit të nitratit e metanit; të cilat rrjedhimisht gjenerojnë  sëmundje të shumta në organizmat e gjallë dhe ndryshime të mëdha në habitatet natyrore.

Ndotja e ujërave është në një shkallë të lartë po ashtu, e kjo vjen nga rrjedhjet industriale, mbeturinat e agrikulturave, pesticidet, derivatet, shirat acidike e si dhe nga mungesa e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza. Mungesa e kujdesit ndaj ujërave po ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut, duke shkaktuar një numër të lartë të sëmundjeve. Nëse veprimtaria jonë nuk përmirësohet ndaj mjedisit atëherë në të ardhmen parashikohet rritje e acidifikimit të oqeaneve, rritje e nivelit të detit prej 20 deri 50 cm, rritje e temperaturës së tokës për 0.2 ⁰C, ndryshime në ciklin e karbonit si dhe reshjet mesatare ditore do të rriten rreth 0,2mm në shkallë globale.

Ngrohja globale si sfida më afatgjate dhe më e madhe e njerëzimit në këtë periudhë po rrjedh si pasojë e veprave të lartpërmendura. Ndryshimet klimatike po ndikojnë në të gjitha hallkat e zinxhirit natyror. Sëmundjet e shumta, migrimet e detyruara, kufizimi i ushqimit të shëndetshëm, zhdukja e specieve dhe zonave natyrore, përmbytja e zonave të banueshme dhe bujqësore, vështirësimi i higjienës publike, shkrirja e akullnajave dhe ndryshimet e temperaturës në përgjithësi janë vetëm disa nga rezultatet me të cilat kemi filluar të përballemi.

Prandaj aktivitetet antropogjenë të cilat janë duke shkaktuar pasoja të papërmirësueshme duhet të ndërpriten me anë të rritjes së vetëdijesimit të qytetarëve, mobilizimit të tyre dhe implementimit të politikave të mira mjedisore nga institucionet.

Deri më tani janë miratuar disa dokumente me qëllim që të zgjidhin problemet e ndryshimit të klimës. Konventa në Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC) u miratua në 1992 në Rio të Brazilit. Qëllimi i tij ishte të ruante emetimet e gazeve serë në një nivel të tillë që të parandalojë ndërhyrjet e rrezikshme në sistemin klimatik. Konventa u ratifikua nga 195 vende.

Hapi tjetër në rrugën drejt zgjidhjes së problemit të ndryshimit të klimës ishte miratimi i Protokollit të Kiotos (në vitin 1997). Ky protokoll prezantoi qëllime ligjërisht të detyrueshme në funksion të zvogëlimit të emetimeve të gazeve serë në vendet e zhvilluara. Duke nënshkruar këtë protokoll në vitin 1998 dhe duke e ratifikuar atë në 2002 Sllovenia bëri një angazhim për të ulur emetimet e gazeve serë deri në fund të periudhës së parë të synuar, përkatësisht 2008-2012, me 8% në funksion të vitit bazë (1986). Në bazë të amendamentit të Doha (dhjetor 2012), periudha e dytë e synuar e Protokollit të Kiotos u përcaktua të zgjaste nga 2013 në 2020. Bashkimi Evropian bëri një angazhim që në periudhën e deklaruar do të ketë ulur emetimet e gazeve serë me 20% viti bazë

Në vitin 2015, vendet nënshkruese të Konventës në Kuadër të Kombeve të Bashkuara miratuan Marrëveshjen Globale të Ndryshimit të Klimës, e cila do të mbulonte të gjitha marrëveshjet ekzistuese, detyruese dhe jo-detyruese në një sistem të unifikuar. Qëllimi i kësaj marrëveshje është që emetimet e gazeve serë të reduktohen në vendet e zhvilluara dhe në vendet në zhvillim në një nivel që do të lehtësojë që temperatura e atmosferës së botës të mos rritet me më shumë se 2 gradë Celsius./Motilokal.com