Ambasadori gjerman në Shqipëri: Le të veprojmë së bashku për të mbrojtur mjedisin

Ambasadori gjerman në Shqipëri: Le të veprojmë së bashku për të mbrojtur mjedisin

Gjermania mbështet Shqipërinë në shumë fusha, për të mbrojtur dhe ruajtur biodiversitetin dhe natyrën e bukur të këtij vendi.

Ambasadori Zingraf hapi së bashku me kolegët e tij të BE-së dhe ministrin Klosi fushatën e BE-së "Sot për mjedisin".

Ai deklaroi se të gjithë ne duhet të punojmë së bashku dhe të rimendojmë sjelljen tonë për të mbrojtur mjedisin.

"Mbrojtja e mjedisit ka nevojë për ligje të mira, të cilat gjithashtu duhet të zbatohen mirë. Për më tepër, secili prej nesh duhet që çdo ditë të bëjë pjesën e tij dhe të bëhet i vetëdijshëm se si ne si qytetarë mund të kontribuojmë në mbrojtjen e mjedisit tonë", u shpreh Ambasadori Zingraf me rastin e fillimit të fushatës.

Ndërsa ministri Blendi Klosi theksoi në fjalën e tij se nisma për ta bërë Shqipërinë të parin vend europian pa qese plastike më 1 qershor 2020 do ta vendosë Shqipërinë në hartën e vendeve lider për veprimet konkrete kundër plastikës dakorduar kjo edhe me partnerët ndërkombëtarë.

“Besoj që fushata e cila do të jetë e dakorduar me partnerët tanë ndërkombëtarë për reduktimin përfundimtar të përdorimit të qeseve plastike dhe për ta shndërruar Shqipërinë në të parin vend europian pa qese plastike nga 1 qershori 2020, nga dita ndërkombëtare e fëmijëve, të jetë një aksion i cili na sjell ne Shqipërinë e vogël, me probleme të mëdha mjedisore, me probleme të mëdha të menaxhimit të mbetjeve urbane në hartën e vendeve lider në veprimet të vërteta, konkrete për të reduktuar përdorimin e plastikës në vendin tonë”, u shpreh ministri Klosi.

Nën sloganin “Plastika nuk lë hapësirë për jetën”’, fushata dymujore e organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, synon të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe ndotjen nga plastika, si dhe të inkurajojë alternativa ndaj plastikës me një përdorim./Motilokal.com