AMMK bën thirrje për mbrojtjen e pyjeve të Parqeve Kombëtare nga zjarret

AMMK bën thirrje për mbrojtjen e pyjeve të Parqeve Kombëtare nga zjarret

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) përmes një komunikate ka bërë thirrje për mbrojtjen e e pyjeve të Parqeve Kombëtare nga zjarret.

AMMK dhe MMPHI, njoftojnë se këto dy ditë do të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë.

Kjo situatë meteorologjike vije si pasojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga pjesa veriore e Afrikës.

Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 16-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 35-37 gradë Celsius.

AMMK thekson se temperaturat e larta në stinën e verës, përveç ndikimeve negative në shëndetin e njeriut shtojnë dukshëm mundësinë e përhapjes së zjarreve nëpër pyje, përfshirë edhe pyjet në Parqet Kombëtare.

“Me qëllim të parandalimit të paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre, MMPHI/AMMK përmes Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Drejtorisë për Administrim e  Parkut Kombëtar  “Bjeshkët e Nemuna”, ka shtuar vigjilencën, gatishmërinë, kontrollin dhe monitorimin e territorit të Parqeve”, thuhet në njoftim.

Për të menaxhuar këtë situatë në mënyrë më efikase, është shtuar edhe niveli i bashkëpunimit me të gjitha organet relevante.

“Me këtë rast apelojmë tek të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht tek vizitorët, banorët e zonave të parqeve, shfrytëzuesit e pronave, dhe qytetarët tjerë që të kenë kujdes maksimal në parandalimin e paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre në territorin e parqeve”, apelon AMMK.

“Ju bëjmë me dije po ashtu se bazuar në Ligjin  Nr. 03/L-233 për mbrojtjen e natyrës parashihen dispozitat ndëshkuese për ndezjen e zjarreve”, thekson AMMK.

AMMK kërkon nga të gjithë, që në rast se shihni ndonjë ndezje eventuale të zjarrit në Parqe Kombëtare ta lajmëroni  në numrat e kontaktit Drejtoritë përkatëse:

Drejtorinë e Parkut Kombëtar “ Bjeshkët e Nemuna” janë: 048 222 718 dhe 044 155 735; dhe

Drejtorinë e Parkut Kombëtar “ Sharri” janë: 045 308 164 dhe 044 263 188.

Numrat emergjentë të disa institucioneve me rëndësi që duhet t’i keni parasysh janë:

Zjarrfikësit: 193;

Policia e Kosovës: 038/192, dhe mobil 192;

Qendra e thirrjeve në kuadër të Policisë së Kosovës: 112; dhe

Ndihma e shpejtë: 194 dhe 038/ 500 094../Motilokal.com