Vala e të nxehtit afrikan godet edhe Siberinë, temperatura regjistrohet 48 gradë Celsius

Vala e të nxehtit afrikan godet edhe Siberinë, temperatura regjistrohet 48 gradë Celsius

Bora dhe akulli janë gjëja e parë që të vjen në mend kur përmendet Arktiku dhe Siberia.

Por javën e kaluar rajoni në fjalë ka dalë jashtë çdo parashikimi pasi ka regjistruar një valë të nxehti rekord, ku temperaturat kanë kapur vlerën 48 gradë Celsius.

Në Saskylah, një fshat i vogël në veri të Arktikut, temperatura e tokës arriti 31.9 gradë Celsius, më e larta e regjistruar në 85 vjet që nga viti 1936. Ndërkohë, temperaturat u rritën në një shifër prej 48 gradë Celsius në qytetin Verkhoyansk, temperatura më e lartë e regjistruar në Arktik që nga fillimi i matjeve, ndërsa në Govorovo ato arritën 43 gradë Celsius.

Imazhet satelitore të botuara nga Copernicus, programi i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e Tokës, treguan se temperaturat tejkaluan më shumë se 35 gradë Celsius të dielën në Siberi, ndërsa rajoni po përjeton një valë të vazhdueshme të nxehtësisë. Kjo gjë ka shkaktuar shqetësim në radhët e shkencëtarëve në lidhje me atë që po ndodh në planet.

“2021 është viti i të vërtetës për ndryshimet klimatike dhe luftën ndaj tyre. Koha që na mbetet për të parandaluar impaktet e ndryshimeve klimatike po shkurtohet shpejt”, shkruante në një deklaratë Organizata Botërore e Meteorologjisë.

Kryeqyteti rus Moskë gjithashtu është goditur kësaj jave nga vala e të nxehtit me temperatura që arrijnë rekordin e 120 vjetëve, njoftonin autoritetet ruse.

Kryeqyteti rus shënoi dje 34.7 gradë Celsius sipas agjencisë vendase Roshydromet, e njëjtë me rekordin e ditës më të nxehtë të qershorit të regjistruar në 1901./Motilokal.com