Pogradeci, qyteti i turizmit elitar që shijohet në çdo stinë

Pogradeci, qyteti i turizmit elitar që shijohet në çdo stinë

Pogradeci është njëri prej vendeve më të mira turistike në Shqipëri. Për Lasgushin nuk ka një të dytë. Kjo për shkak të mikpritjes, kulturës dhe bukurive natyrore të këtij qyteti. Aty vizitori gjen prehje në të katër stinët e vitit.

Përveç liqenit, Pogradeci në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore, monumente të rëndësishme të kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh.

Gjithashtu, kuzhina pogradecare është shumë e veçantë dhe e pëlqyeshme nga turistët vendas dhe të huaj.

Nëse dëshironi t’i shpëtoni vapës dhe jeni në kërkim të freskisë dhe të qetësisë, atëherë shijoni atmosferën liqenore pranë mërmëritjes së butë të dallgëve të gjolit më të thellë në Ballkan dhe nëse dëshironi të ushqeheni me produkte që kanë mbetur akoma krejtësisht natyrale, atëherë zgjidhja fshihet te një emër: Pogradeci dhe liqeni i tij.

Për të na folur më shumë rreth qytetit të liqenit, motilokal.com realizoi një intervistë me z. Ilir Xhakolli, kryetar i Bashkisë së Pogradecit.

Intervistoi: Shkelzen Rrecaj

Z. Xhakolli, si ka nisur kjo verë për turizmin në Pogradec duke e pasur parasysh kërcënimin e vazhdueshëm nga pandemia?

Së pari faleminderit për interesin tuaj për të bërë të mundur pasqyrimin e turizmit të Pogradecit dhe atë se çfarë ky qytet ofron për pushuesit. Për të dalë tek pyetja juaj, mund të them me krenari se turizmi këtë vit po ecën shumë mirë. Ka një interesim të lartë nga vendasit, bashkatdhetarët tanë në rajon dhe të huajt për të ardhur në Pogradec.

Tashmë Shqipëria është në hartën e shteteve Covid Free dhe ka shumë njerëz që po i drejtohen vendit tonë. Pogradeci akoma më tej edhe përgjatë pandemisë ka qenë një qytet me fare pak raste pozitive kjo për disa arsye, klima dhe ajri i pastër, por nga ana tjetër edhe ne si bashki ishim në gatishmëri me masat tona që nga dezinfektimet, pastrimet, etj. Sigurisht që edhe qytetarët bënë detyrën e tyre duke respektuar në maksimum masat. Pra, me pak fjalë Pogradeci ishte mjaft i populluar edhe në pandemi, imagjinoni tani që është pa raste pozitive, ky qytet është i tejmbushur dhe kjo vërehet qartë në plazh, hotele, xhiron e mbrëmjes, etj.

Ne si bashki nga ana tjetër kemi marrë të gjitha masat që në fillim të sezonit, me plazhet, rrugët, parqet, etj. Vijojmë pastrimin e tyre të përditshëm, kemi të gjitha mjetet e sigurisë në plazhe ashtu siç kemi përgatitur një program të ngjeshur artistik "100 ditë në Pogradec" ç'ka ka tërhequr mjaft vëmendje. Gjithashtu, krahas pastërtisë në plazhe ne kemi krijuar edhe një pedanë për personat me aftësi të kufizuara dhe karroca invalidi ku ata tashmë kanë akses në liqen gjë të cilën nuk e kanë pasur kurrë më parë.

Guri i Kamjes

Sektori i turizmit, është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare. Sa e ka dëmtuar pandemia e COVID-19 turizmin në Pogradec?

Si kudo në Shqipëri edhe në Pogradec bizneset u prekën rëndë nga pandemia, mbyllja, kufizimi i orareve, etj. Megjithatë fundjavat funksionuan për disa muaj dhe ata e rimorën veten shpejt. Nga ana tjetër edhe ne si bashki nuk qëndruam indiferentë. Me vendim këshilli bashkiak dhe propozimin tim, ne për gati 5 muaj ulëm tarifat vendore për bizneset që u prekëm nga mbyllja e pandemisë si edhe nga muaji mars e deri në dhjetor 2020 falëm edhe tarifat e hapësirave publike për të gjitha subjektet e bizneseve të shërbimit, pra i lejuam të operonin falas në hapësirat publike në mënyrë që të rimerrnin veten pas pandemisë. Nga ana tjetër ndihmesë dhanë edhe paketat e ndihmës nga qeveria. Por që para hapjes së plotë e deri më tani që flasim, bizneset kanë nisur punën normalisht, tashmë ka turistë, pushues, vizitorë dhe ata janë duke punuar për të plotësuar humbjet e shkaktuara në pandemi.

Guri i Kamjes

Pogradeci është një qytet “i pazbuluar” me plazhe e natyrë të mrekullueshme. Çfarë ju ofron qyteti i liqenit turistëve këtë sezon veror?

Pogradeci ka shumë për të ofruar në fakt. Mbështes citimin tuaj "të pazbuluar" sepse Pogradeci nuk ofron vetëm turizëm liqenor, ka natyrë dhe destinacione mjaft interesante për ecje (hiking) janë disa shtigje malore të shënjuara tashmë si: Shtegu i Malit të Thatë, Tushemisht-Peshkëpi, Guri i Kamjes, Varret Ilire të Selcës, Liqenet akullnajore të Lukovës në Mokër, Kabashi dhe Kisha e Shën e Dielës. Këto janë destinacione që kanë shtigje dhe mund të eksplorohen me guida, por nuk mund të lihen pa u vizituar Kanioni i Llëngës dhe Manastiri Shën Marenës në Mokër, Bazilika Paleokristiane e Linit, Kalaja e Qytetit, Blacës deri edhe te fshatrat që po zhvillojnë Agroturizmin si Bishnicë, Velçan, Buzaishtë, Verçun, etj.

Manastiri Shën Marenës

Pogradeci ka shumë për të vizituar dhe parë. E nis me Gadishullin e Linit me fshatin piktoresk, bazilika e tij mbi kodër, plazhet e virgjëra me ujë të kristaltë. Driloni dhe Tushemishti dy zona mjaft të preferuara për parkun ujor dhe historinë e filmave të Teto Ollgës me filmat “Zonja nga Qyteti” dhe “Shoqja nga Fshati”.

Manastiri Shën Marenës

Me burimet ujore unike që furnizojnë liqenin, me një vijë liqenore plazh ranor mbi 5 kilometra të cilin ne e kemi rehabilituar dhe mund të shijohet në çdo kohë pasi është tërësisht publik. Në qytet mund të vizitosh lagjen Muzeale të Toplecit me banesat karakteristike, aty gjen edhe burimet për të cilët ka shkruar aq bukur edhe Lasgushi, Fototekën Misto Cici, fotografit të parë të Pogradecit, Shkollën Shqipe e dyta pas Mësonjëtores së Korçës vetëm 1 javë pas saj.

Amfiteatri Odeon

Ndërkohë që në bazë të një projekti që kemi për restaurimin total të kësaj lagje dhe rrugës Naim Frashëri, kemi në projekt kthimin në muze të shtëpisë së Lasgushit, rindërtimin e shtëpisë së Mitrush Kutelit, ngritjen e një Muzeu Etnografik gjithashtu. Mund të vizitoni Muzeun e Qytetit për t’u njohur me historinë mbi 2500 vjeçare të Pogradecit ose Enkelanës si dhe Pelionit të vjetër. Mund të vizitoni Sheshin e Trëndafilave të cilin e kemi ndërtuar prej më shumë se 1 viti me 3500 trëndafila shumë ngjyrësh, Odeonin e ri të qytetit që e kemi ndërtuar për shfaqjet artistike dhe kulturore, parkun e qytetit dhe shëtitoren mbi 1 kilometër të gjatë ku përgjatë saj do të gjeni edhe plazhin ranor. 

Amfiteatri Odeon

Kalaja e qytetit është një tjetër atraksion dhe që ne falë një projekt ndërkufitar shumë shpejt do ringrejmë muret e saj për vizitorët. Nuk duhet të harroni edhe anijen që lundron në ujërat e liqenit duke zgjedhur të shëtisni përgjatë bregut ose duke bërë edhe itinerarin drejt Ohrit tashmë.

Fshati Lin, Bazilika Paleokristiane

Turizmi është një ndër prioritetet e bashkisë tuaj, a mund të na thoni se çfarë politikash po ndjek bashkia për zhvillimin e qëndrueshëm të tij?

Unë dhe stafi im po punojmë fort që të transformojmë Pogradecin. Ne jemi duke u investuar më së shumti në infrastrukturë pasi ajo i ka munguar më së shumti Pogradecit për të zhvilluar edhe më shumë turizmin, por kjo nuk do të thotë se po punojmë më pak në sektorët e tjerë! Pogradeci cilësohet si një nga qytetet më të pastër në vend dhe kjo falë punës shumë të mirë që bëhen nga punonjëset e pastrimit. Kemi investuar në infrastrukturë në qytet, por kemi e shumë projekte që do të nisin. Kemi investimin e ri që do të bëhet në fshatin Lin në kuadër të 100 fshatrave turistikë, ne me fondet tona kemi përfunduar rrjetin e ujit të pijshëm atje dhe vijojmë punën në këtë drejtim në të gjitha ish komunat, për të mos bërë më politikë me ujin e pijshëm. 

Parku Drilonit

E kam pasur angazhim dhe jam duke përmbyllur këtë zotim për të gjithë fshatrat e Bashkisë. Kemi projektin e Lungo Gjolit(shëtitorja përgjatë liqenit) deri në Tushemisht që do të nisë shumë shpejt, projekti i Parkut Ujor Drilon-Tushemisht i financuar nga American Developmet Found, projekt që e transformon parkun dhe e bën të lundrueshëm në çdo stinë. Jemi në pritje të financimit të dy akseve rrugore Golik-Bishnicë dhe Dardhas-Niçë për të zhvilluar turizmin malor në këto zona. 

Parku Drilonit

Niça e Pogradecit ka të njëjtën histori me Voskopojën e Korçës, por i mungon rruga dhe unë vijoj fort punën për ta realizuar atë. Nga ana tjetër kemi punuar fort për të sjellë botime të ndryshme me informacione për Pogradecin dhe jemi duke punuar për guidën arkeologjike që shumë shpejt t’i kemi për turistët. Pra këto i takojnë pushtetit lokal, të krijojë të gjithë mjedisin e duhur për turizëm, shërbimi më pas është i operatorëve turistikë të cilët nga viti në vit po përmirësojnë standardin e tyre.

No description available.

Kanioni Llëngës

Sa është numri i turistëve që kanë vizituar Pogradecin nga janari deri tani në korrik? A ka ndonjë rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar?

Për momentin nuk kam shifra konkrete, pasi përgjithësisht ato kalkulohen në fund sezoni. Por di të them që ka një rritje të madhe. Nëse do pyesësh tani në hotele është shumë e vështirë të gjesh dhoma të lira, jovetëm në hotele, por edhe shtëpitë që ofrojnë dhoma për pushuesit. Kjo sepse prenotimet bëhen muaj më parë. Tani është shumë shumë e vështirë të akomodohesh në Pogradec, Drilon, Tushemisht apo Lin.

No description available.

Varret Ilire të Selcës

Këtë vit ka ndodhur që Pogradeci është frekuentuar qysh në qershor masivisht, nuk ndodhte vite më parë. Korriku është i tejmbushur, ndërsa edhe gushti është pothuajse i prenotuar. Krahasuar me vjet ka më shumë sigurisht, por kam bindjen se me shërbimet që po ofrojmë, pastërtinë, plazhet, investimet, jetën artistike dhe kulturore apo jetën e natës, këtë vit do jetë numri më i madh i pushuesve dhe vizitorëve që ka pasur ndonjëherë Pogradeci.

No description available.

Sheshi Trëndafilave

Dhe për fund, një mesazh për të gjitha ata që kanë planifikuar apo planifikojnë që ta vizitojnë qytetin e Lasgushit?

Ne kemi një moto këtë vit, “Eja në Pogradec, sodit natyrën, gëzo mikpritjen, shijo traditën”. Pra, kemi përmbledhur në një fjali të gjitha çfarë gjen në Pogradec. Unë mund t’iu them të gjithëve mos e humbisni Pogradecin, jovetëm këtë vit por në çdo vit. Mund të qëndroni 2-3 ditë apo edhe 1 javë e më shumë. Ky qytet i ofron të gjitha për të mbushur ditët tuaja të pushimeve. Ata që na kanë lexuar që në fillim të intervistës besoj se tashmë e kanë të qartë se përse duhet të vijnë në Pogradec. Faleminderit!/Motilokal.com

No description available.

No description available.

Mali i Thatë 

No description available.

Liqeni i Lukovës

No description available.

Hyrja e Pogradecit, Korsi Biçikletash 22 km e gjatë

No description available.

No description available.

No description available.

Lagjja muzeale Topleci