Sondazh: Të rinjtë shumë të shqetësuar nga ndryshimi i klimës

Sondazh: Të rinjtë shumë të shqetësuar nga ndryshimi i klimës

Një studim i ri global ilustron thellësinë e ankthit që shumë të rinj po e ndiejnë për ndryshimet klimatike.

Gati 60% e të rinjve të anketuar thanë se ndiheshin shumë të shqetësuar ose jashtëzakonisht të shqetësuar.

Më shumë se 45% e të pyeturve thanë se ndjenjat për klimën ndikuan në jetën e tyre të përditshme.

Tri të katërtat e tyre thanë se mendonin se e ardhmja ishte e frikshme. Mbi gjysma (56%) thonë se ata mendojnë se njerëzimi është i dënuar.

Dy të tretat raportuan se ndiheshin të trishtuar, të frikësuar dhe të shqetësuar. Shumë ndjenë frikë, zemërim, dëshpërim, pikëllim, turp dhe pa shpresë.

Një 16-vjeçar tha: "Është ndryshe për të rinjtë, për ne, shkatërrimi i planetit është personal."

Sondazhi u realizua në 10 vende nga Universiteti Bath në bashkëpunim me pesë universitete.

Shumë nga të pyeturit perceptojnë se nuk kanë të ardhme, se njerëzimi është i dënuar dhe se qeveritë nuk po reagojnë në mënyrë adekuate.

Shumë ndihen të tradhtuar, injoruar dhe braktisur nga politikanët dhe të rriturit.

Autorët thonë se të rinjtë janë të hutuar nga dështimi i qeverive për të vepruar. Ata thonë se frika mjedisore "po ndikon thellësisht në një numër të madh të rinjsh".

Stresi kronik mbi ndryshimet klimatike, sipas tyre, po rrit rrezikun e problemeve mendore dhe fizike. Nëse ngjarjet e rënda të motit përkeqësohen, ndikimet në shëndetin mendor do të pasojnë.

Raporti thotë se të rinjtë veçanërisht janë të prekur nga frika e klimës sepse po zhvillohen psikologjikisht, shoqërisht dhe fizikisht.

Autorja kryesore, Caroline Hickman nga Universiteti Bath, tha për BBC News: "Kjo tregon se eko-ankthi nuk është vetëm për shkatërrimin e mjedisit, por lidhet në mënyrë të pandashme me mosveprimin e qeverisë ndaj ndryshimeve klimatike. Të rinjtë ndihen të braktisur dhe të tradhtuar nga qeveritë.

"Qeveritë duhet të dëgjojnë shkencën dhe të mos patologjizojnë të rinjtë që ndihen të shqetësuar."/Motilokal.com