22 Shtator - Dita Botërore Pa Makina

22 Shtator - Dita Botërore Pa Makina

22 shtatori është një ditë shumë e rëndësishme për mjedisin jetësor, ngase respektimi i kësaj date ndikon drejtpërdrejtë në uljen e ndotjes së mjedisit jetësor, me theks të veçantë të ajrit.

Ndotja e mjedisit tashmë është një fakt i hidhur pasi, përveç faktit që po shkatërrohet planeti tokë rrjedhimisht vihet në rrezik edhe jeta, përfshirë këtu edhe jetën njerëzore. Ndër arsyet kryesore të ndotjes së ambientit është edhe përdorimi i tepërt i automjeteve.

Kjo ditë synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin të paktën për një ditë makinat e tyre, të cilat emetojnë lëndë të dëmshme për organizmin dhe si një përpjekje për të kontribuar në mbrojtje të mjedisit.

Në periudhën 16-22 Shtator të çdo viti, me nismën e Bashkimit Evropian, organizohet “Java Evropiane e Qarkullimit”, e cila finalizohet me datën 22 Shtator, me ditën “Të sigurt dhe të shëndetshëm, me mobilitet të qëndrueshëm”.

Kjo nismë evropiane e ka zanafillën në Francë në 1998. U deshën vetëm katër vjet që ajo të bëhej një nga manifestimet me përfshirje më të madhe në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Qëllimi i nismës evropiane është pikërisht ndërgjegjësimi për ndërmarrjen e politikave të suksesshme urbane nga vendimmarrësit për të mundësuar rritjen e vëllimit të transportit me mjete miqësore me mjedisin. Në këtë kuadër, në kryeqytet dhe në qytetet e Evropës shmangen lëvizjet me makina dhe në vend të tyre përdoren biçikletat dhe ecja në këmbë./Motilokal.com