Mbi 75 mijë turistë vendas e të huaj vizituan liqenin e Komanit, Fierzës dhe lumin e Shalës

Mbi 75 mijë turistë vendas e të huaj vizituan liqenin e Komanit, Fierzës dhe lumin e Shalës

Drejtoria e Përgjithshme Detare (DPD) ka bërë të ditur se në periudhën maj-gusht mbi 75000 udhëtarë vendas dhe të huaj kanë vizituar dhe kanë përdorur mjetet lundruese në liqenin e Komanit, Fierzës dhe lumin e Shalës.

Sipas DPD-së, në këtë periudhë mjetet lundruese kanë transportuar 4634 autovetura, 587 furgonë, 64 autobusë, 495 motorë.

Siç njofton DPD në muajin maj me këto mjete lundruan 4420 udhëtarë, në qershor 11319 udhëtarë, në korrik 28967 dhe në gusht 31000 udhëtarë.

I ndërtuar fillimisht si liqen artificial për furnizimin me ujë të hidrocentralit të Komanit, ai në vitin 2000 filloi të përdorej edhe për udhëtime ujore nga njëri vend në tjetrin, për të lidhur qytetin e Bajram Currit, Gjakovën me pjesën tjetër të vendit.

Më vonë, liqeni i Komanit ka filluar të nxisë edhe kureshtjen e vizitorëve turistikë vendas e të huaj, pikërisht për faktin e bukurive natyrore dhe monumenteve të natyrës e historisë që gjenden në shtrirjen e brigjeve të tij.

Përgjatë tërë liqenit, nga Fierza e deri në Koman, në një udhëtim që zgjatë më pak se tri orë, vizitorët mund të mahniten me pamjet që ofrohen. Udhëtimi me traget apo me ndonjë barkë më të vogël ofron kënaqësi të papërshkruar, ndërsa atraksion më vete janë fshatrat e kësaj zone dhe grykat e disa lumenjve që derdhen në liqen.

Lëvizjet turistike nëpër ujërat e liqenit të Komanit vazhdojnë përgjatë gjithë vitit, por sezoni i vërtetë turistik fillon nga maji deri në shtator, periudhë kur edhe klima është e përshtatshme.

Ndërsa Lugina e Shalës së fundmi është futur në guidat e agjencive turistike, po tërheq një vëmendje të veçantë, për shkak të natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron.

Kjo bën që turistët të shijojnë në maksimum natyrën e bukur dhe ujin kristal, ndërsa shkrepin me aparatet e tyre momentet më të bukura dhe peizazhet fantastike të Shqipërisë./Motilokal.com