Në Ditën Botërore të Turizmit - Kosova ende pa strategji të zhvillimit të turizmit

Në Ditën Botërore të Turizmit - Kosova ende pa strategji të zhvillimit të turizmit

Sot në mbarë botën po shënohet Dita Botërore e Turizmit, e cila është zgjedhur për të përkuar me një moment të rëndësishëm në turizmin botëror, përvjetorin e miratimit të Statutit të Turizmit Botëror që ndodhi më 27 shtator 1970.

Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit mbi rolin e turizmit, ndikimin në vlerat shoqërore, kulturore, politike dhe ekonomike në botë. Moto e vitit 2021 është "Turizmi për Zhvillim Gjithëpërfshirës".

Edhe në Kosovë po shënohet kjo ditë në forma të ndryshme. Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, sot për nder të Ditës Botërore të Turizmit ka mbajtur një tryezë të diskutimit.

Tema e diskutimit në këtë tryezë ishte: Turizmi rural: mundësi e mirë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Kosovë.

Në tryezë u tha se turizmi rural duhet të përqendrohet në pjesëmarrjen aktive në një mënyrë jetese rurale. Mund të jetë një variant mes agroturizmit dhe ekoturizmit. Shumë fshatra mund të lehtësojnë turizmin rural sepse shumë fshatarë janë mikpritës dhe të etur për të mirëpritur ndonjëherë edhe vizitorë dhe për të promovuar historinë e atij fshati, traditat, zakonet e ushqimet tradicionale.

Edhe pse Kosova ka bukuri mahnitëse që të duhet kohë e gjatë për t’i shijuar e për t’i kujtuar. Kosova ka vende me peizazhe të mrekullueshme, objekte natyrore, kulturore dhe historike, që mund të shfrytëzohen nga vizitorë si vendas ashtu dhe të huaj, duke filluar nga Bjeshkët e Nemuna, Malet e Sharrit, Mirusha, Drini i Bardhë, Shpella e Gadimës, Prizreni, Peja, Gjakova, Vushtrria dhe rajone të tjera. Thënë shkurt Kosova është një vend i jashtëzakonshëm dhe ka shumë vende për t’u vizituar. Po ashtu, ushqimet tradicionale e bëjnë Kosovën një vend unik e që patjetër duhet shijuar.

Por problem mbetet promovimi, mungesa e investimeve dhe strategjive për zhvillimin e turizmit nga ana e shtetit.

Në një intervistë për Motilokal.com, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, prof. dr. Hysen Sogojeva ka deklaruar se çfarë pasurish natyrore ka Kosova, është shumë e vërtetë që pak e njohin dhe kjo është si rezultat i mospromovimit të vlerave turistike, kulturore dhe historike që i kemi. Nuk ka promovim nga qeveria, e as nga institucionet e tjera relavenate. S’do mend se do të mund të bënin shumë më tepër në promovimin e pasurive natyrore. Pa promovim këto vlera turistike, dikur edhe zhduken, me një fjalë vdesin. Fatkeqësisht, që nga pas lufta e deri më sot, Qeveria e Kosovës nuk e ka pasur prioritet zhvillimin e turizmit dhe nuk i ka kushtuar rëndësi as promovimit, e kjo është arsyeja që nuk e njohin aq sa duhet vendin tonë.  

Ai ka deklaruar se Kosova fatkeqësisht ende nuk ka strategji të turizmit.

Sogojeva në këtë intervistë është shprehur se Kosova nuk ka agjenci kombëtare të turizmit.

“Agjencia kombëtare është institucioni që e zhvillon turizmin. Të gjitha shtetet e rajonit, ato evropiane e botërore kanë agjencitë e tyre kombëtare. Disa kanë organizata nacionale. Organizatat themelohen me kuvend, ndërsa agjencitë nga qeveria. Këto të fundit mund të jenë në kuadër të një ligji ose edhe mund të themelohen me një ligj të veçantë. Kështu që, pa agjenci kombëtare nuk ka promovim të turizmit dhe për këtë kemi mbetur prapa”, ka deklaruar Sogojeva.

Përgatiti: Shkëlzen Rrecaj / Motilokal.com